Rafineri heroine në Padova, në pranga shqiptari

437
Është konsideruar si organizata kriminale që mbushte sheshet e Padovës me heroinë dhe drogëra të tjera, ndërsa policia italiane prej kohësh ishte në përpjekje të vazhdueshme për të bërë të mundur goditjen e bazës së kësaj organizate. Kanë qenë një sërë afrikanësh, të cilët janë ndaluar si shpërndarës të lëndës së kushtueshme, por që pa mundur të shkonin te kokat e organizatës, pasi sipas policisë italiane, ata nuk ishin në dijeni të vendit ku bëhej grumbullimi dhe përpunimi i heroinës. Gjithçka ka nisur nga ndjekja e disa personave të dyshimtë dhe një javë më parë, policia ndalon një shtetas shqiptar. Në mjetin e tij u gjet gjysmë kilogrami heroinë, pjesë e sasisë së sekuestruar nga ana e policisë nëpër sheshe dhe bare të Padovës. Shqiptari vihet në pranga dhe policia i sekuestron sendet personale.
Ndër to, i gjendet edhe një çelës shtëpie. Skuadra e policisë mbërrin në apartamentin e të arrestuarit dhe aty përballet me një rafineri të vërtetë droge. Përveç një sërë të gjitha pajisjeve që duheshin për të kryer procesin e përzierjes së drogës, mësohet se policia ka sekuestruar edhe një sasi prej 30 kg heroinë dhe rreth 70 kg hashash. E gjithë lënda narkotike, sipas italianëve të hetimit vinte nga Shqipëria, ndërsa në banesën e shqiptarit, për të cilin policia italiane nuk publikon emër, gjendet edhe një bllok i vogël me numra telefonash të një sërë personash, bllok që pritet të fundosë të gjithë personat që rezultojnë të jenë të zotët e atyre numrave telefonikë.
Sigal