Racizmi grek lë 3 ditë pa varrosur shqiptaren

426
Sigal

Greqi: Edhe pas vdekjes, u kërkohen emigrantëve të kenë leje qëndrimi për t’u varrosur. Familja e 24-vjeçares pret tre ditë për të varrosur vajzën e tyre Aldiora Dingo

 E pabesueshme, por një realitet që ndodh në vendin fqinj, vendi i çudirave dhe i mrekullive, vendi ku për të parën herë lindi Demokracia, arti dhe kultura. Por, mesa duket, ky vend anëtar i Komunitetit të Bashkimit Europian që nga 1981 vazhdon të nxjerrë ligje nga më ekstreme, ku gjejnë zbatim, jo vetëm për emigrantët e gjallë, por edhe kur ata shkojnë në botën tjetër (parajsë). Gjatë dy dekadave të fundit emigrantët janë përballur me ligje nga më të ashprat për legalizimin e tyre, ligje të cilat asnjëherë nuk ndikuan në integrimin dhe marrjen e statusit të emigrantit. Janë këto ligje të çuditshme, të cilat nuk mjaftojnë për ashpërsinë e tyre, kur emigrantët janë gjallë, por, edhe kur ata ikin nga kjo botë. Çudia më e madhe është se si ka mundësi që këto ligje të kësaj natyre jashtë çdo logjike të gjejnë zbatim në një vend të BE-së, ashtu siç është Greqia, ku emigrantëve të ikur nga kjo botë u kërkohen gjëra absurde, për të gjetur parajsën në botën tjetër.

AKSIDENTI

Konkretisht, javën e kaluar, një aksident automobilistik, midis viktimave te tjerë, i mori jetën një vajze 24 vjeçare, e cila kishte shkuar të rinovonte lejen e qëndrimit, tek priste në stacion të autobusit në rrugën “Petro Rralli”. Kjo tragjedi u trajtua me të madhe për shumë ditë nga media vendase, si një tragjedi kombëtare.

Kur je shqiptar!

Sa u mor vesh qe vajza nuk ishte vendase dhe aq më shumë ishte shqiptare filluan peripecitë e familjes së viktimës. Nuk u besoja syve dhe veshëve, kur dëgjoja se sa e vështirë ishte që të varrosej një njeri i huaj në këtë vend, aq më tepër me një fe tjetër. Ishte hera e parë që me të atin e vajzës po përballonim të vetëm një skenë të tillë, e gjithë kjo pasi duhej të përgatisnim dokumentet përkatëse për raste të tilla.

Policia: Vajza ka leje qëndrimi?

Peripecia e parë për familjen ishte në komisariatin e policisë në zonën e Kalitheas, ku familjes iu kërkua që të ishte i pranishëm avokati për të vërtetuar nëse viktima kishte leje qëndrimi në Greqi, në një kohë që policia e di shumë mirë që çdo leje qëndrimi ka një kod të veçantë dhe për këtë mund të merrte të dhënat nga institucioni përkatës. Sikur të mos mjaftojë kjo, oficeri i policisë i thotë familjes që duhet të vinte përsëri në këtë komisariat për të deklaruar se si u krye aksidenti, në një kohë që familja priste nga këta, të mësonte lidhur me aksidentin.

Shtyhet varrimi, se është shqiptare

Në derën e komisariatit të policisë në Kalithea të Athinës, nga personeli i zyrës funerale të Nikeas mësuam se sa e vështirë është për të huajt që të varrosen në Athinë, kjo aq më shumë për këtë rast kur viktima nuk ishte pagëzuar dhe se ishte shqiptare. Në fakt, ajo nuk u varros të nesërmen, sipas rregullave, me arsye se ishte e huaj dhe burokracia vendase do ndikonte në të. Varrimi u shty edhe dy-tre ditë të tjera, por u bë më në fund, falë parasë që gjithmonë të pamundurën e kthen në të mundur, ku vajza shqiptare më në fund, që nuk ishte pagëzuar në fenë ortodokse, të varrosej e të prehej në paqe provizorisht në varret vendase.

Konkluzioni

Turp! Siç dihet Athina është i vetmi qytet në botë që nuk ka varre për ata që nuk kanë fenë Ortodokse, pasi për këta njerëz me fe të ndryshme ka varre për ta 700 kilometra larg Athinës. Në rastin e lartpërmendur nuk ka si mos të indinjohesh kur përballesh me ligje të ashpra dhe jo njerëzore, ligje që nuk njohin logjikë dhe as ndjejnë dhimbjen në të tilla raste. Nuk ka si mos të indinjohesh kur në zyrat e policisë të vdekurit i kërkojnë lejen e qëndrimit, nuk ka si të mos të indinjohesh kur zyra funerale kërkon letrën nga Kisha Ortodokse që të vërtetojë pagëzimin, se ndryshe nuk mund të bëjë varrimin. Por, në fakt, janë ligje të cilat duhet të gjejnë zbatim për të vdekurit vetëm në një vend që quhet Greqi. Më në fund mësuam se edhe të vdekur, emigrantët për të shkuar në botën tjetër duhet të tregojnë legalizimin dhe fenë e tyre…

Shpëtim Zinxhiria (Athinë)

Gazeta Espresso: Na falni

Në gazetën “Espresso” në Greqi i kushtohet një faqe e plotë kësaj tragjedie me informacione të rreme, ku thuhej se vajza viktimë kishte lidhje erotike me shoferin që bëri aksidentin. Pas reagimit të familjarëve të saj, kryeredaktorja e gazetës kërkon falje dhe premton se do të përgënjeshtrojë lajmin, duke u shprehur: “Ngushëllime familjes! Do ta përgënjeshtrojmë lajmin dhe jemi në dispozicionin tuaj. Ne lajmin e morëm nga avokati i shoferit, pra, i besuam atij. Megjithatë, ne i kërkojmë falje familjes së viktimës dhe jemi në pritje për të rregulluar çdo padrejtësi që është bërë nga ne. Unë do flas me të atin e vajzës për të rregulluar çdo gabim dhe për këtë i kërkoj edhe njëherë falje. Ne do të korrigjojmë çdo gjë, që nuk ishte e saktë. Dhe një herë, ju kërkojmë falje!”.

INFO

Në Greqi bëhen dy lloj varrimesh

Në këtë vend bëhen dy lloj varrimesh, aq sa për varrimin fetar duhet që të jetë krishter ortodoks, ku funerali kryhet nga prifti, në të kundërtën bëhet funeral politikë, ku varroset jashtë Athinës rreth 700 kilometra në Veri të Greqisë.