Qindra emigrantë të bllokuar në Greqi pasi Maqedonia mbylli kufirin

567
Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë, duke lënë qindra mijëra emigrantë të bllokuar në territorin helen.
Lajmi bëhet i ditur nga autoritetet greke, teksa zyrtarët e Shkupit kanë refuzuar të komentojnë deklaratat greke.
Sipas të dhënave nga autoritetet greke, mbi 2600 klandestinë kanë mbetur të bllokuar teksa Maqedonia nuk ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.
Megjithatë kjo nuk është hera e parë që Maqedonia vepron në këtë mënyrë, pasi edhe javën e shkuar ajo mori një vendim të ngjashëm, kurse në nëntor të 2015 autoritetet maqedonase vendosën të selektojnë klandestinët që në kufi, duke lejuar të kalojnë vetëm ata persona që vinin nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Pjesa tjetër nga Pakistani dhe vendet afrikane nisën protestat, duke kërkuar të trajtohen njëlloj si emigrantët e tjerë.
Javën e kaluar, qeveritë e disa vendeve anëtare të BE sugjeruan më shumë bashkëpunim me Bullgarinë dhe Maqedoninë, nëse Athina nuk arrin të sigurojë kontrollet kufitare të nevojshme për të frenuar rrjedhjen e emigrantëve në Europë.
Por situata në Greqi vijon të jetë alarmante. Qindra emigrantë zbarkuan në portin më të madh të Greqisë teksa gjashtë klandestinë, mes tyre edhe një fëmijë humbën jetën në detin Egje.
Anija u mbyt në Kos, ishulli më i afërt me brigjet turke, vetëm pesë ditë pasi dy anije me 43 emigrantë në bord u mbytën sërish në rrugën mes Turqisë dhe Greqisë.
Fluksi i emigrantëve është një nga testet më të vështira për unionin në historinë e Bashkimit Evropian, i cili ka çuar në përçarje të thella mes shteteve anëtare dhe në frikë për mbyllje të zonës Shengen.
Sigal