Qeveria zvicerane vë alarmin: Spiunë nën petkun e diplomatit, cenohet siguria kombëtare

237
Gjithnjë e më shumë të huaj të cilët në Zvicër ndodhen nën petkun e diplomatit, në fakt kryejnë punë të spiunëve, shkruajnë sot mediat zvicerane. I shqetësuar me këtë fenomen, Këshilli Federal (Qeveria e Zvicrës) ka tërhequr vërejtjen në raportin e tij më të ri të publikuar sot, lidhur me rreziqet që kërcënojnë sigurinë e Zvicrës.
Në shënjestër të veprimeve të spiunazhit janë politika, ekonomia, ushtria e Zvicrës si dhe organizatat ndërkombëtare që kanë selinë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.
Se çfarë përmasash ka marrë kjo dukuri, tregon edhe ky fakt: Sipas dyshimeve të bazuara të qeverisë, në rastin e përfaqësisë në Zvicër të një shteti (të paemërtuar në raport), më shumë se një e katërta e personelit bëjnë punën e spiunëve, konkretisht punojnë për shërbimin informativ të vendit të tyre.
Ministri i mbrojtjes, Guy Parmellin në një intervistë për radion SRF ka shprehur shqetësimin e qeverisë rreth kësaj dukurie.
Me ligjin e ri për Shërbimin Inteligjent, i cili ka hyrë në fuqu nga shtatori i vitit 2017, shteti ka më shumë mjete në dorë për të zbuluar dhe demaskuar rastet e spiunazhit, ka thënë Parmelin. Në rastet kur kjo është e nevojshme, sipas Parmelin, do të ndërhyjë edhe drejtësia.