Qeveria nuk i përgjigjet ultimatumit Mustafa nuk shkarkon Jabllanoviç

479
Sigal

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, nuk e ka shkarkuar ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksander Jabllanoviç. Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij, i ka inkurajuar qytetarët që të kërkojnë zgjidhje për problemet dhe shqetësimet e tyre përmes rrugëve institucionale.

Kryeministri Mustafa ka dënuar dhunën e përdorur gjatë protestës së të shtunës. Madje Mustafa, në emër të Qeverisë ka ftuar organizatorët e protestës që të marrin përgjegjësinë për sulmin në ndërtesën e qeverisë.

“Qeveria e respekton të drejtën e protestës. Qeveria konsideron se vendi ynë po ballafaqohet me probleme të shumta. Qeveria i vlerëson shqetësimet e qytetarëve dhe e konsideron të rëndësishëm ndërtimin e raporteve mes të gjitha grupeve etnike e fetare. Zgjidhja institucionale është e vetmja mundësi”, ka thënë kryeministri.

Ndërkohë, ministri Jabllanoviç ka thënë se i vjen keq që deklaratat e tij po keqpërdoren dhe po përdoren për qëllime politike.

“Unë nuk e kam pasur ndërmend që ta lëndoj askënd me deklaratat e mia, e aq më shumë nënat gjakovare. Unë jam shprehur vetëm për ata njerëz që kanë qenë atë ditë në Gjakovë dhe për të cilët kam kërkuar falje”, deklaroi ai.

“Më vjen keq që deklaratat e mia po përdoren politikisht”, ka thënë Jabllanoviq. Ndërkohë, mbledhja e sotme e Qeverisë pati për temë diskutimi shqyrtimin e projekt-programit kombëtar, për reforma në ekonomi për vitin 2015 dhe shqyrtimin e raportit vjetor financiar për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2014. 

Marre nga RTK