Qeveria greke kërkon dorëheqjen hartuesit të paktit detar me Shqipërinë

141
Qeveria greke i ka kërkuar dorëheqjen hartuesit të paktit detar me Shqipërinë, i cili njëkohësisht është edhe njëri përgjegjës për marrëdhëniet mes dy vendeve. Vendimi nuk ka lidhje direkte me paktin, por me një debat të brendshëm politik për mungesën e një vizioni në politikën e jashtme të Greqisë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë i ka kërkuar dorëheqjen hartuesit të marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë, Dimitrios Paraskevopoulos, i cili njëherësh është edhe personi përgjegjës për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Mediat raportojnë se largimi i është kërkuar edhe numrit dy të kësaj Drejtorie.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi shefi i diplomacisë helene paralajmëroi ndryshime në stafin që përfaqëson Greqinë në arenën ndërkombëtare.
Stafi diplomatik prej disa kohësh është vënë në qendër të debatit politik në Greqi, e cila shpërtheu në seancën e fundit parlamentare.
Opozita greke, nëpërmjet ish-Ministres së Jashtme, Dora Bakojanis, ka kritikuar ashpër politikat ndërkombëtare të Qeverisë, duke kundërshtuar madje edhe takimin Rama-Tsipras që u zhvillua në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.
Sipas saj, Kryeminsitri grek duhet t’i kishte kërkuar llogari homologut shqiptar për marrëveshjen detare.
Ndër të tjera, ajo shtoi se politikat ndërkombëtare të qeverisë aktuale kanë mungesë të theksuar vizioni.