Qeveria e re e Kosovës, Lista Serbe nuk hyn pa iu plotësuar kushtet

81
Pjesëmarrja ose jo e Listës Serbe në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të varet nga plotësimi i kërkesave të këtij subjekti politik, thotë shefi i Zyrës për marrëdhënie me media i Listës Serbe, Igor Simiç.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se Lista Serbe, e cila si përfaqësuese e komunitetit serb ka fituar 9 vende në Kuvendin e Kosovës, është e gatshme të bisedojë dhe bashkëpunojë me të gjitha ato subjekte politike që përfaqësojnë shumicën shqiptare dhe që janë të gatshëm që t’iu qasen problemeve të pazgjidhura të komunitetit serb.

Megjithatë, Simiç thotë se, deri më tani, Lista Serbe nuk ka zhvilluar kurrfarë bisedimesh me subjektet politike parlamentare të shumicës shqiptare, lidhur me mundësitë eventuale të hyrjes në ndonjë koalicion që synon formimin e Qeverisë së re.

Ai shton se Lista Serbe nuk do t’i vlerësojë partitë politike shqiptare në bazë të asaj se çfarë kanë thënë gjatë fushatës zgjedhore, por marrëdhëniet me to do të varet në bazë të asaj se cila do të jetë qasja e tyre ndaj serbëve dhe përfaqësuesve të tyre. Sipas tij, Listës Serbe nuk i intereson se cili do të jetë numri i ministrive apo vendeve tjera të punës me kompetencë ekzekutive, por vetëm zgjidhjet konkrete që do lehtësonin jetesën e serbëve të Kosovës.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç thotë Simiç, mbetet kushti kryesor për hyrjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Qeverinë e re të vendit. Sipas tij, ekzistojnë edhe një numër i madh i kërkesave që dalin nga problemet që kanë serbët e Kosovës, sikurse furnizimi i barnatoreve me barëra dhe mjete mjekësore, sidomos në veri të Kosovës, si dhe furnizimi me tekstet mësimore dhe dokumente të tjera, të cilat siç thotë ai, shpeshherë janë ndaluar në vendkalimet kufitare.

“Të gjitha vendimet, ne do t’i marrim në marrëveshje me Beogradin dhe nga kjo nuk tërhiqemi. Jemi të gatshëm të bisedojmë, ta ndajmë bashkë përgjegjësinë për vendimet e ndryshme, por nuk jemi të gatshëm që ta rishikojmë çfarëdo marrëveshje që është arritur në Bruksel, sikurse ajo për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, që do të duhej ta përmirësojë jetën e qytetarëve në këtë hapësirë”, tha Simiç.

Kushtetuta e Kosovës ua garanton komuniteteve pakicë përfaqësimin në Qeverinë e Kosovës, por Simiç thotë se kjo është një zgjidhje nominale dhe se Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb, nuk synon dhe nuk do të hyjë në Qeverinë e re me çdo kusht.