Qeveria e re e Kosovës, Kuvendi duhet të konstituohet brenda muajit

514
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, është hapur rruga për formimin e institucioneve, konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 66, pikës 1, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Ndaj Kuvendi duhet të konstituohet deri me 8 gusht, pra një muaj nga dita e djeshme(8 korrik), kur u bë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Pas konstituimit të Kuvendit, në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, pikës 1, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
Sipas kësaj pike, mandatari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj do të tentoj që herën e parë ta formoj qeverinë në bazë të votave të fituara në zgjedhje. Ndërsa, pika 2 e po të njëjtit nen, Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Sipas pikës 3 të nenit 95, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Derisa, pika 4 e nenit 95 thotë se, Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
“Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet me tutje në pikën 4.
Seancën e parë konstituive të Kuvendit e udhëheq deputeti më i vjetër i zgjedhur dhe deputeti më i ri i zgjedhur.
Sigal