Qeveria e Kosovë: Nuk është riaktivizuar radari ushtarak serb në Kopaonik

153
Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njofton se nuk është riaktivizuar radari ushtarak serb, që ka qenë i instaluar para luftës në malin Kopaonik, i cili është bombarduar nga NATO-ja gjatë sulmeve ajrore të vitit 1999. “Qeveria e Kosovës ka komunikuar zyrtarisht me KFOR-in prej të cilit ka marrë konfirmim zyrtar për këtë çështje. Në kuadër të kompetencave të veta, KFOR-i kryen inspektime të rregullta në vendndodhjen e radarit të shkatërruar për ta verifikuar gjendjen e tij. Radari i shkatërruar ushtarak i Serbisë nuk është riaktivizuar e as që është riinstaluar ndonjë radar i ri në këtë pikë. Për më tepër, sipas konfirmimit të KFOR-it, riaktivizimi i radarëve në fjalë është rreptësisht i ndaluar nga Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës, me këtë rast, përgëzon KFOR-in për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shpreh konsideratën më të lartë për kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë në vendin tonë. Qeveria e Kosovës e jep këtë njoftim për të përgënjeshtruar lajmet e ditëve të fundit në disa media, të cilat u referohen deklaratave të OJQ-së “Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë”, se Serbia ka riaktivizuar radarin ushtarak në malin e Kopaonikut, në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.