Qëndrimi në Union, Mbretëresha Elizabeta II konfirmon referendumin anti-BE

121
Mbretëresha Elizabeta II tha në fjalimin e saj përpara parlamentarëve të rinj se qeveria do të miratojë ligjin që do t’i hapë rrugë referendumit për antarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Ajo mbështeti gjithashtu idenë se referendumi duhet të zhvillohet para vitit 2017.
“Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian dhe do të kërkojë reformimin e unionit për të mirën e të gjithë vendeve anëtare. Qeveria do të propozojë gjithashtu edhe një legjislacion të ri për të siguruar një marrëveshje jetëgjatë, duke ju dhënë më shumë fuqi Skocisë dhe Uellsit”.
Mbështetja e Mbretëreshës pritet t’i japë më tepër shtysë kryeministrit Devid Kameron, i cili ka nisur turin e tij europian me synimin për të takuar të gjithë liderët e unionit para samitit të BE-së në fillim të qershorit.
Ai nuk e ka përjashtuar largimin, por po e përdor këtë mundësi si kartë për të fituar sa më shumë ndryshime.
Në fjalimin tradicional të monarkes 89-vjeçare, e cila mbërriti në parlament me karrocë me kalë, të zgjedhurit e dhomës së përfaqësuesve dhe asaj të lordëve, dëgjuan edhe planet për rritjen e ndihmës shëndetësore për të miturit, si dhe reforma të ndryshme ekonomike që kabineti i ri i Devid Kameron i ka quajtur programi për klasën punëtore.