Putin: Vetëm një i çmendur mund të imagjinojë që Rusia të sulmojë NATO

61
Nuk ka qenë faji i Rusisë që raportet me vendet e Bashkimit Evropian u përkeqësuan, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin në një intervistë ekskluzive për gazetën italiane ”Corriere della Sera”.
”Nuk ishim ne ata që kufizuam tregtinë dhe aktivitetin ekonomik. Kjo u bë kundër nesh dhe ne u detyruam të merrnim masa. Sidoqoftë, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Italisë kanë qenë gjithmonë të privilegjuara si në politikë ashtu edhe në ekonomi”, thekson Putin.
Presidenti rus e sheh marrëveshjen Minsk 2 si rrugën e vetme për zgjidhjen e problemit të lindjes së Ukrainës.
“Por, jo gjithçka varet nga ne. Evropa dhe SHBA duhet të ndikojnë te Kievi për të respektuar atë që është arritur në Minsk”, thekson Putin.
“Vetëm një i çmendur apo një njeri që është në ëndërr mund të imagjinojë që Rusia mund të sulmojë NATO-n. Ndoshta dikush është i interesuar që të ushqejë këtë frikë. Ndoshta SHBA i frikësohet një afrimi mes Evropës dhe Rusisë”, shton ai.
“Politika jonë nuk ka karakter global, ofensiv apo agresiv. Po ju jap një shembull. Pranë brigjeve norvegjeze janë nëndetëset amerikane në shërbim të përhershëm. Koha që një prej raketave të tyre të arrijë Moskën është 17 minuta, në ndërkohë që SHBA janë larguar nga Marrëveshja mbi Mbrojtjen Kundërajrore”, thotë presidenti Putin.
“Ajo që ne bëjmë është t’u përgjigjemi kërcënimeve dhe këtë e bëjmë në mënyrë shumë të kufizuar. Dikur u propozova amerikanëve të ndërtonim një sistem antiraketor mes nesh, atyre dhe Evropës. Ky propozim u refuzua dhe na u tha se ishte projekt i kushtueshëm dhe nuk mund të përcaktojmë efikasitetin e tij”, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin në një intervistë ekskluzive për gazetën italiane ”Corriere della Sera”.