Putin: Turqia do të pendohet. Erdogan: Kemi prova, Rusia tregton naftë me ISIS

466
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka folur nga Kremlini sërish për rrëzimin e avionit rus nga ushtria turke, duke thënë se ende nuk e di pse Turqia e sulmoi. Gjatë adresimit të tij para kombit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Rusia nuk do ta harrojë veprimin e Turqisë për rrëzimin e aeroplanit ushtarak rus. Ai shtoi se Turqia do të pendohet për atë çfarë ka bërë por sipas tij, reagimi rus nuk do të jetë i kufizuar për ndërmarrjen e sanksioneve. “Nuk do ta harrojmë rrëzimin e avionit rus – paralajmëron ai – turqit do të pendohen”. Incidenti që ka ndodhur më 24 nëntor i ka zbehur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës.

Ai që i ka folur sot në mëngjes Rusisë, ka qenë një Vladimir Putin i zemëruar me Turqinë dhe komunitetin ndërkombëtar, politikat përçarëse të të cilit vetëm sa u japin më shumë nxitje militantëve të Kalifatit. Putin gjatë fjalimit të tij bëri thirrje për një front të përbashkët kundër Shtetit Islamik dhe atë në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se vendet nuk duhet të aplikojnë standarde të dyfishta mbi terrorin ose të përdorin grupet terroriste për nevojat e tyre. Por në të njëjtën kohë, shfaqet gjithmonë e më i vendosur që të marrë angazhimin për ta mposhtur Abu Bakr al Baghdadin dhe njerëzit e tij, që terrorizojnë Lindjen e Mesme dhe kërcënojnë Perëndimin.

Pasi ka falënderuar ushtarakët rusë që luftojnë ISIS-in dhe prindërit e dy ushtarëve, që ishin me mision në Siri kur u vranë nga raketat e turqve, ai ka kërkuar “një grusht të vetëm” kundër terrorizmit. “Duhet të lëmë mënjanë të gjithë dallimet dhe të krijojmë një front unik dhe të fuqishëm antiterrorist, që të veprojë në bazë të të drejtës ndërkombëtare dhe nën udhëheqjen e OKB-së”. Putin foli edhe për ekonominë ruse e cila ka pësuar rënie që nga sanksionet perëndimore pas veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Putin tha se Rusia tashmë ka nevojë që të prodhoj mallra jo vetëm për tregun e brendshëm, por edhe për tregjet botërore.

ERDOGAN: KEMI PROVA, RUSIA TREGTON NAFTË ME ISIS
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja ka prova se Rusia është e përfshirë në tregti të paligjshme të naftës me grupin ekstremist Shteti Islamik në Siri. “Kemi prova në duart tona. Do t’ia zbulojmë botës”, ka thënë Erdogan, duke mos dhënë detaje të tjera. Presidenti i Turqisë i ka cilësuar si “të pamoralshme” akuzat e Rusisë, se familja e tij importon naftë nga militantët e Shtetit Islamik. Tensionet midis dy vendeve janë tejet të larta , prej ditës kur forcat turke kanë rrëzuar një avion ushtarak rus në kufi me Sirinë, më 24 nëntor. Ankaraja ka thënë se avioni ka shkelur hapësirën e saj ajrore, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Moska.
Sigal