Pushimet e Montit dhe Merkelit, pa zhurmë dhe pa bujë

602
Sigal

Kushdo që ndjek me vëmendje pushimet e drejtuesve të ndryshëm të vendeve në krizë, nuk mund të mos u bëjë përshtypje pazëshmëria dhe thjeshtësia e tyre. Vetëm 15 gazetarë u pranuan të ndjekin konferencën e thjeshtë të kancelares gjermane Angela Merkel, ditë më parë me arsyen se “nuk ka asgjë sensacionale…Ajër i pastër, shëtitje në natyrë, gatim personal i saj për familjen, qetësi dhe një dëshirë e madhe e Merkel të futet mes njerëzve pa e njohur kush… Këto i shprehu edhe në intervistën që dha për pushimet ku “gazetar” ishte edhe një kuzhinier që e pyeti përse pëlqente të hante shumë patate…Pardje filloi pushimet Monti, kryeministri italian. Vetëm gjashtë ditë, asnjë më shumë. Të gjitha në Zvicër dhe në mënyrën më të thjeshtë të kursimit. Asnjë njeri nga eskorta kryeministrore italiane, për ta ruajtur. Dy tre zviceranë të shërbimeve qeveritare do të ruajnë banesën e Montit, i cili ka të ftuar edhe Olli Rehn, komisarin e BE, për punët ekonomike e financiare. “Relaks total, për Montin ne Engadina”, shkruan shtypi italian që ka nisur atje, në punë, gazetarët dhe paparacët e vet. Njoftimet nga Zvicra tregojnë se edhe  pardje të martën, Monti ka shëtitur në këmbë nga Maloja në Sankt Moritz. Më pas ka marrë makinën e shoqëruesve zviceranë rrugicën Chadaunchels dhe është bashkuar me gruan Elsa, dy djemtë e tij dhe katër nipërit. Ekskursioni i Montit ka vazhduar pak më shumë se një orë, nga mesdita gjer përtej orës 13. Mëngjesi për Montin ka filluar nga Silvaplana, pranë Sankt Mortiz, ku prej vitesh ai ka marrë me qira një apartament të vogël 65 metër kuadrat. Asnjë shpenzim qeveritar për apartamentin edhe këto ditë. Blen 12 gazeta të përditshme italiane dhe atë të “Financial Times” me dorë e mundet edhe para të dy djemve të tij në kioskat pranë. I lexon ato duke filluar nga titujt për qeverinë dhe atë personalisht. Natyrisht, kjo është punë, ku kritikat, shpotitë dhe karikaturat që i bëjnë agresivët, kapin kuotën më të lartë të vëmendjes së tij, në krahasim me lavdërimet që pothuajse nuk i pëlqen. Nuk shqit nga dora tabletin dhe shpesh u përgjigjet me nickname  “Mare Monti (simbole të tij më të dashura) edhe komentuesve më cilësorë në komentet e shkrimeve të dy gazetave më të mëdha: “La Repubblica” dhe “Corriere della Sera”. E ka treguar sekretin e pseudonimit, thotë shtypi italian, në një koment brilant kundër një brilanti komentues që e mbërtheu me “gozhdë”, për pafuqishmërinë e qeverisë për të bindur gjermanët… Gruaja, Elsa, para se të shkonte në shëtitje, pardje me Montin, shkoi e paruajtur nga rojet zvicerane dhe bëri pazarin e ushqimeve të ditës me vajzën në supermarketin “Volg” që ndodhet 200 metër larg apartamentit me qira private që ka prenotuar prej vitesh Monti. Shtëpia e Montit, pak hapa larg postës së qytezës, është vënë edhe nën vëzhgim të kamerave elektronike nga policia federale zvicerane dhe gjithçka gjer në hyrje të Montit në derën kryesore të shtëpisë është e kontrolluar pa shumë shpenzime nga dy monitorë dhe tre telekamera të stacionuara për këto gjashtë ditë. Ndërkohë, puna në Palazzo Chigi (kryeministri) vazhdon e rregullt duke mbetur në detyrë sekretari i kryeministrisë, Antonio Catricala dhe zëvendëskryeministri Federico Toniato. Pushimet pa shpenzime të mëdha, pa makina 700 mijë euro, bile edhe pa eskortë të rënduar, gardistë blu a të zinj, apo kuzhinierë e shërbëtore me maxhordomë drejtues të tyre e palombarë poshtë ujit të detit- të paguar nga taksat që u merren qytetarëve, nuk mund të gjenden tek kryeministri italian Mario Monti. Një hap më tej Italisë mundet, por kjo është në marrëzinë a dinjitetin e atyre që mizorisht drejtojnë vendet e varfra dhe tmerrësisht të prapambetura edhe në kulturë qeverisëse. Mario Monti me shembull personal, ngushton më tej hapësirën skandaloze mes atyre që votojnë për t’u shërbyer, e që quhet Sovran dhe atyre që vetëshpërblehen për të keq qeverisur! Olli Rehn, komisari i BE, që është ftuar nga Monti, nuk ka nguruar të lavdërojë punën, por dhe sjelljet private të kryeministrit Mario Monti. Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CNBC, ai ka deklaruar se: “Me Montin, Italia ka marrë masa shumë të rëndësishme!”. Finlandezi ka shtuar se “Qeveria e tij ka bërë shumë për reformën strukturale” (sinjifikative, ka theksuar) duke cituar reformën mbi punën (mbështetëse, e ka theksuar) duke besuar se edhe reforma e përgjegjësia e qeverisë së tij do të jetë e tillë edhe për “rrugën e bilanceve”, duke besuar në zhvillim nëpërmjet masave efikase për industrializim (mbajtur në gjendje të mirë) dhe prodhimtari cilësore për tregjet!…” Gjashtë ditë pushim ,në shtëpinë me qira personale, duket do të jenë edhe gjashtë ditë transparente dhe pa shpenzime të shumta në sytë e qytetareve italianë dhe mediave të tyre që fare afër ndjekin dhe “gjuajnë” kryeministrin. Dhe ai i respekton duke bërë jetën e vet private, me sensin e një qytetari të thjesht italian! Mbase vlen për të mësuar edhe ne!

Nga Italia, për “Telegraf”