Protestuesit në Hong Kong hyjnë brenda parlamentit

526
Sigal

Hong Kongu u përfshi nga protestat në ditën që shënoi 22 vjetorin e ribashkimit të qytetit me Kinën. Protestuesit arritën të hyjnë me forcë brenda godinës së Këshillit Legjislativ pavarësisht përpjekjes së punonjësve të policisë për t’i ndalur.

Mbrëmjen e së hënës pamjet ndryshuan në mënyrë dramatike krahasuar me një marshim paqësor që u mbajt me herët gjatë ditës. Demostratat janë nxitur nga një projektligj i diskutueshëm, miratimi i të cilit do të lejonte ekstradimin për procese gjyqësore penale në Kinë. Megjithëse e pezulloi projekligjin, udhëheqësja e Hong Kongut nuk e tërhoqi atë përfundimisht, raporton Zëri i Amerikës.

Të hënën me mijëra vetë rrethuan kompleksin qeveritar të qytetit. Pas disa orësh demostruesit arritën të hyjnë me forcë brenda godinës së Këshillit Legjislativ pavarësisht përpjekjes së punonjësve të policisë për t’i ndalur duke spërkatur në drejtim të tyre piper. Protestuesit përdorën çadra, syze dhe maska për të fshehur identitetin dhe t’u mbrojtur nga piperi.

“Duam që qeveria të na dëgjojë dhe të mos shmangë atë që kërkojmë. Ne jemi e ardhmja e qytetarëve të Hong Kongut dhe duhet të luftojmë për lirinë tonë. Ndaj dhe do të bëjmë shumë më tepër. Do ta bëjmë këtë qeveri, të dëgjojë zërin tonë”, thotë një protestues i cili u identifikua si Mr. K.

Më parë gjatë ditës policia spërkati me piper dhe përdori shkopinj gome ndaj mijëra protestuesve që mësynë në ceremoninë e ngritjes së flamurit që shënoi përvjetor e dorëzimit të qytetit ish koloni e Mbretërisë së Bashkuar, në vitin 1997.

Protestuesit ulën flamurin e Kinës dhe e zëvendësuan atë me një variant të zi të flamurit të Hong Kongut.

Protestat e së hënës përkuan me përvjetorin e dorëzimit nga Britania të Hong Kongut, për t’u bashkuar me Kinën, por ato janë nxitur nga një projekligj i diskutueshëm i cili do të lejonte ekstradimin për procese gjyqësore penale në Kinë.

Protestat vazhdojnë edhe pas vendimit të udhëheqëses së Hong Kongut Carrie Lam për ta pezulluar projektligjin. Zonja Lam dështoi ta tërheqë përfundimisht projekligjin apo të plotësojë kërkesa të tjera të protestuesve përfshirë kryerjen e hetimit mbi veprimet e policisë gjatë demonstratës së dhunshme të 12 qershorit.

Në Hong Kong vazhdon të rritet frika se qyteti po humbet autonominë prej Kinës, e cila i është premtuar deri në vitin 2047. Aktualisht qytetarët mbrohen nga ai që njihet si Ligji Themelor, që përfshin të drejta civile e politike, e që konsiderohen si mini kushtetuta e Hong Kongut.