Protestë kundër arrestimit të Haradinajt, qytetarët kërkojnë lirimin e tij

525
Sigal

Ashtu
siç ishte paralajmëruar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur protestën në
Prishtinë në mbështetje të liderit të saj, Ramush Haradinaj, që ndodhet në masë
arresti në Francë. Përfaqësues, qytetarë, politikanë, i janë bashkuar marsh
paqësor, që nisi rreth orës 13:00 te obelisku i New Born-it për të deri te
selia e Ambasadës Franceze në Prishtinë, ndërsa si qëllim ka lirimin e
ish-kryeministrit Haradinaj.

Me
pankarta në duar, “Ramush Haradinaj është Kosova” protestuesit kërkojnë lirimin
e kreut të AAK-së, i cili u arrestua pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të
lëshuar nga Serbia në vitin 2004.
Pjesëmarrësit e këtij marshi do të parakalojnë rrugëve të qytetit e deri te
Ambasada Franceze në Prishtinë. Marshi është paqësor dhe është i mbështetur nga
pothuaj të gjitha partitë politike, organizatat dhe një pjesë e madhe e
lëvizjeve qytetare e civile. Ndalimi dhe mbajtja e Haradinajt, ka shkaktuar një
valë të madhe reagimesh në Kosovë, në Shqipëri dhe në Diasporë.

Nisma
dhe VV i bashkohen protestës
Këtij marshi, përveç simpatizantëve të AAK-së pritet t’i bashkohen edhe ata të
“Nismës” dhe “Vetëvendosjes”. Kjo pasi të dy këto parti kanë dalë në mbështetje
të protestës. Valdete Bajrami nga “Nisma për Kosovën” ka treguar se partia e
Fatmir Limajt jo veçse e mbështet protestën, por ka ftuar të gjitha strukturat
e saj të jenë prezent në orën 13:00, te qendra e Prishtinës.

“Po
si Nismë për Kosovën do të jemi prezent në protestë. Dhe nëpërmjet kësaj
kërkohet qe sa më parë të lirohet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj”, citohet të
ketë thënë shefja e grupit parlamentar të “Nismës”, Valdete Bajrami. Nga ana
tjetër, edhe Shkodran Hoti ka konfirmuar për Indeksonline se edhe Lëvizja
“Vetëvendosje” i bashkohet marshit protestues të thirrur për sot. “Po, do të
dalim në protestën e organizuar në mbështetje të Haradinajt”, ka thënë ky
zëdhënës i LVV-së.

Përveç
këtyre dy subjekteve politike, marshi protestues kundër arrestimit të Ramush
Haradinajt, është përkrahur edhe nga organizatat e veteranëve të UÇK-së.
Ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, është arrestuar të
mërkurën nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit, me një urdhërarrest
të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Një gjykatë në Francë, të enjten, vendosi
që ish-kryeministri i Kosovës të mbahet në paraburgim deri në kërkesën zyrtare
të Beogradit për ekstradimin e tij.