Protestat për çmimin e karburantit në Francë, Trump tallet përsëri me Macron

429
Sigal

Presidenti i SHBA, Donald Trump, përmes një postimi në Twitter, i ka dhënë një tjetër goditje homologut të tij francez, Emmanuel Macroni lidhur me protestat e dhunshme kundër taksave të karburantit.

“Unë jam i kënaqur që miku im Emmanuel Macron dhe protestuesit në Paris kanë rënë dakord me përfundimin që kam arritur dy vjet më parë”, – tha Trump të martën në mbrëmje.

“Marrëveshja e Parisit është fatalisht  me të meta sepse ngre çmimin e energjisë për vendet përgjegjëse ndërsa zbardh disa nga ndotësit më të këqij,” -shkruan Trump, duke iu referuar një marrëveshje globale mbi mjedisin e hartuar në Paris në fund të vitit 2015 të cilën ai e kundërshtoi duke thënë se do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja mbi klimën, e arritur në vitin 2015 në Paris duke irrituar liderët botërorë dhe krerët e industrive.

Trump tha në atë kohë se marrëveshja e Parisit do të përkeqësonte ekonominë e Shteteve të Bashkuara, ulte sovranitetin, dëmtonte vendet e punës dhe do ta vendoste Amerikën në disavantazh me vendet e tjera të Botës.

Ndërkohë, në fillim të javës kryeministri francez Edouard Philippe vendosi të pezullojë rritjen e planifikuar të çmimit të karburanteve për të paktën gjashtë muaj në përgjigje të protestave më të dhunshme që janë parë ndonjëherë në Francë, duke shënuar kthimin e parë të madh nga ana e administratës së Macron gjatë 18 muajve në detyrë.