Protesta për ligjin e medias, në Poloni

538
Ligji i ri medias shtetërore i miratuar të enjten edhe nga Presidenti Andrzej Duda ka shkaktuar protesta më disa qytete të Polonisë. Mijëra protestues janë mbledhur kundër ligjit në Varshavë, Lodz, Poznan dhe Szczecin.
Sipas ligjit të ri, Ministri i Thesarit ka të drejtë të caktojë drejtuesit e transmetuesve shtetërore, dhe në bazë të kësaj prerogative të premten Jacek Kursk, ish-deputetin e Partisë Ligj dhe drejtësi u emërua në krye të televizionit shtetëror. Deri më tani, krerët e mediave shtetërore emëroheshin përmes një konkursi publik të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Transmetimit, një organ i krijuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
“Jemi mbledhur këtu sepse liria e medias është në rrezik dhe po ashtu edhe demokracia. Mediat janë një mjet i rëndësishëm i sigurisë. Nëse media nuk monitoron ata që janë në pushtet, opinioni publik nuk mund ta dijë se çfarë po bëjnë ata. Për ne liria e medias është shumë e rëndëshime,” tha Mateusz Kijowski, kreu i Komitetit për Mbrojtjen e Demokracisë.
Ndërsa protestuesit e tjerë shprehën shqetësimin edhe për kabinetin qeveritar të zgjdhur në muajin tetor, duke e akuzuar se ka shkelur parimet e demokracisë.
“Para së gjithash, kjo protestë është kundër arrogancës të partisë Ligji dhe Drejtësi, jo vetëm kundër ligjit të ri të medias, por në përgjithësi edhe qëndrimit të tyre për në pushtet,” tha një protestues. Ndërsa një tjetër protestues tha se vendi po shkon drejt diktaturës.
Ndërkohë, Polonia ka hedhur poshtë pretendimet e Komisionit Evropian se ligji i ri mbi mediat shtetërore kërcënon lirinë e mediave, duke paralajmëruar Brukselin të mos ndërhyjë në punët e saj në bazë të raporteve të njëanshëm dhe të politizuar.
Bashkimi Europian i ka adresuar Polonisë shqetësimet mbi ligjin e ri të medias, nëpërmjet një letre ku thuhet se këto politika mund të minojnë demokracinë në vend. Por, Ministria e Jashtme e Polonisë në përgjigje të letrës ka sqaruar se ligji synon të korrigjojë disa rregulla mbi transmetuesit shtetërore dhe se Komisoni ka dërguar një informacion të gabuar dhe paragjykues ndaj qeverisë polake. Ndërkohë Komisioni Europian do të diskutojë për këtë çështje më 13 janar në Bruksel.
Sigal