Protesta në Londër, pas zjarrit në kullën Grenfell

471
Protesta janë organizuar në Londër teksa banorë të qytetit kërkuan mbështetje për personat e prekur nga zjarri në kullën Grenfell.

Rreth 60 persona mësynë në bashkitë e Kensington dhe Chelsea Town, duke kërkuar ndihmë të menjëhershme për personat që tashmë kanë mbetur të pastrehë. Turmat u mblodhën jashtë një salle ku kryeministrja Theresa May u takua me të mbijetuar të zjarrit, ndërkohë që nuk munguan protestat as në Downing Street.

Kryeministrja miratoi një fond prej 5 milionë paundësh për rroba, ushqime dhe furnizime emergjence, në një kohë kur bilanci i viktimave ka shkuar në 30. Rreth 70 persona janë shpallur të humbur, ndërkohë që deri më tani, vetëm 3 nga viktimat kanë mundur të identifikohen.

Sipas policisë, nuk ka prova që tregojnë se zjarri është nisur me qëllim.

Kryeministrja May u përball me kritika pasi nuk u takua me të mbijetuarit fill pas ngjarjes, siç bënë liderë të tjerë të vendit.

E pyetur për reagimin e njerëzve, May mbrojti përgjigjen e qeverisë, duke argumentuar se vëmendja tashmë është përqëndruar në sigurimin e mbështetjes në terren.

Fondi i akorduar nga kryeministrja do të ketë për qëllim ri-strehimin e banorëve brenda 3 javësh, sa më pranë zonës ku ata jetonin, pagimi i strehimit të përkohshëm dhe sigurimi i asistencës financiare.
Sigal