Protesta në Gjakovë: Kriminelët serbë s’mund të vijnë si pelegrinë

450
Sigal

Gjashtë persona janë arrestuar gjatë protestës në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse.

Policia e rajonit të Gjakovës ka konfirmuar se ndaj të arrestuarve rëndon akuza “dëmtim prone dhe pengim të personave zyrtarë”.

Protesta u mbajt edhe pse organizatorët deklaruan për mediat serbe se vizita e pelegrinëve është anuluar, për shkaqe sigurie.

Kjo protestë është thirrur nga qytetarët e Gjakovës, kryesisht familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit.

“Pa drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”, ishin disa nga parullat që këta qytetarë mbanin në duart e tyre.

Një ditë më parë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, e ka ftuar presidentin e Kosovës,Hashim Thaçi, që sivjet t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës ta vizitojnë kishën.

Protestuesit marshuan në qytet dhe vendosën disa pankarta pranë Kishës Ortodokse ku shkruan “Gjakova nuk harron” e shumë mesazhe tjera.

Nëna gjakovare kërkojnë drejtësi për krimet e kryera në Gjakovë gjatë luftës dhe kanë bërë thirrje që “kriminelët serbë të mos lejohen të hynë në Gjakovë të veshur në petkun e pelegrinëve”.

Në një postim në facebook Presidenti Hashim Thaçi shkruante se ndjente dhe ndante dhembjen me të gjitha nënat kosovare për humbjen e më të dashurve të tyre por i bënte thirrje për tolerancë e mirëkuptim.

“Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij. HTH”