Prokurorin Special të Maqedonisë mund ta emërojnë SHBA dhe BE

62
Nëse deri më 14 shtator partitë politike nuk dakordohen për emrin e prokurorit të ri special që do të hetojë aferën e përgjimeve dhe përmbajtjen e tyre, atëherë prokurori do të zgjedhet me vendim arbitrar nga diplomacia amerikane dhe evropiane, mëson televizioni Alsat-M nga burime diplomatike
Tema e prokurorit special, i cili duhet të zgjidhet më 15 shtator, pritet të hapet nesër në takimin e grupeve punuese për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos mes liderëve të katër partive më të madha të Maqedonisë – Nikolla Gruevski, kryeministër dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev, LSDM, Ali Ahmeti, BDI dhe Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, raporton Alsat-M.
Takimet rifilluan pas një pushimi dyjavor përsëri sot. Në rend dite ishte pastrimi i listës zgjedhore, temë kjo që shkaktoi përplasje mes partive. LSDM kërkon regjistrim aktiv të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa VMRO kërkon vetëm pastrim të listës aktuale. BDI vlerëson se regjistrimi aktiv do të lë jashtë listës shumë shqiptarë, andaj propozon votim përmes shenjave të gishtërinjve.
Përplasje ka pasur edhe për atë se kush duhet të menaxhojë me listën e votuesve, pasi LSDM ka kërkuar që kjo kompetencë t’i bartet krejt ësisht Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa VMRO kërkon të mbetet në MPB.
Sot pritet që të hapet edhe tema e votimit të diasporës, për çka LSDM dhe BDI kërkojnë heqjen e tre deputetëve të diasporës ose vendosjen e cenzusit minimal për zgjedhjen e një deputeti në diasporë. Ndërkaq VMRO-DPMNE nuk pranon asnjë ndryshim në këtë drejtim.
Në grupet punuese sot marrin pjesë Nikolla Todorov dhe Nikolla Popovski nga VMRO-DPMNE, Radmilla Sheqerinska dhe Damjan Mançevski nga LSDM, Musa Xhaferi dhe Artan Grubi nga BDI, si dhe Imer Aliu dhe Luan Tresi nga PDSH. Përveç tyre në takim merr pjesë edhe ndërmjetësuesi belg, Vanhojt, si dhe diplomatë amerikanë dhe evropianë në Shkup.