Prof. Neki Babamusta/ Kosova e Pavarur, e vendosur në rrugën drejt integrimit europian

499
Sigal

Kosova – Dardania e hershme, krenari historike kundër nënshtrimit

 Paqja e Shën Stenfanit (1877), Kongresi i Berlinit (korrik 1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (korrik 1913) copëtuan padrejtësisht kombin shqiptar, ndër më të vjetrit në Evropë dhe në botë.

Me datën 31.1.2013 në Kroaci (Dalmaci) zbulohet harta e fiseve ilire, 2200 para erës së re, harta më e vjet në botë. Me 1.2.2013 për herë të parë TV Klan publikon hartën më të vjetër të Shqipërisë etnike. Trojet e Shqipërisë etnike përmblidhnin: Ilirinë, Epirin, Dalmacinë, Maqedoninë e sotme, Janina me gjirin e Nartën. Tokat e të parëve tanë figurojnë të dokumentuara në katër vilajete: Kosova, Shkodër, Manastir dhe Janina. Në këto vilajete përfshihen territore mbi 90,000 km katrore bazuar në hartën e publikuar këto ditët e fundit. Vetëm Vilajeti i Kosovës kishte 30,000 km katrore. Shqipëria sot ka sipërfaqe të përgjithshme 28,748 kilometra katrorë dhe Kosova ka 10.887 km katrorë.

Gjatë sundimit serb (shekulli 19-20) me forcë janë përzënë mbi 5 milion shqiptarë që jetojnë në Turqi, përveç qindra mijë të vrarë, të burgosur, etj. Dhjetëra dhe qindra mijë shqiptarë janë vrarë dhe në kohën e sundimit turk për pavarësi. Shqiptarëve padrejtësisht ju morën pronat, shtëpitë, ju mohua gjuha amtare. Politika e gjenocidit, ajo e Serbisë, edhe ajo Turke, nuk lejuan shqiptarët të mësonin gjuhën e bukur shqipe. Kur nuk mësohet gjuha e të parëve, një popull zhduket.

14 Gusht 1941: Karta e Atlantikut

Me 14 gusht 1941 në bordin e anijes “Princi i Uellsit” u bë marrëveshja midis F.D Rusveltit të ShBA-së dhe Uillson Çurçillit të Britanisë, të cilës më vonë më 24 shtator 1941 iu bashkua edhe Stalini i ish Bashkimit Sovjetik. Në takimin historik të tre udhëheqëseve botëror u vendos:

(1) të përkrahej në shkallë ndërkombëtare lufta kundër nazi-fashizmit. Kontribut në këtë luftë po jepte edhe populli shqiptar, si pjesë e koalicionit kundër Hitlerit dhe Musolinit. (2) Pas fitores kundër fashizmit, popujt të kishin të drejtë për vetëvendosje gjer në shkëputje. Kryetari i Lidhjes së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Tito, nëpërmjet agjentëve të tij Çubrojlaviç, Miladin Popoviç, Mugoshës (këshilltar pranë partisë komuniste të Shqipërisë –PKSH), bënin politikë që Kosova të mbetej pjesë e pandarë e Serbisë. Me 24 Janar 1946 Marrëveshja në Bujan vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dinaku Tito nuhati etjen për pushtet të drejtuesve të PKSH-së dhe entuziazmohej kur dëgjonte se në Shqipëri hidheshin parulla “Rroftë Tito!”.

Në këto situata të favorshme për Jugosllavinë Tito deklaroi me hipokrizi: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pamundur, megjithëse unë dua, por na keqkuptojnë Republikat e tjera…!”

-Gjenocidi ndaj shqiptarëve

Nëpërmjet kryekriminelëve të popullit shqiptar, që nga Rankoviçi, ish-ministër i brendshëm i Jugosllavisë, e deri tek Millosheviçi, “kasapi i Ballkanit” në Kosovë filluan përsëri ndjekjet, persekutimet, burgimet, vrasjet ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në dy anët e kufirit. Masakra e Tivarit (23.3.1945) është një tragjedi e përmasave botërore ku shërbimi sekret jugosllav vrau në pabesi mbi 4,000 shqiptarë. Ndërsa në vitin 1947 u vranë edhe 13,000 shqiptarë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë, në bashkëveprim me sigurimin e shtetit shqiptar dhe Titos (Uran Butko, Masakra e Tivarit, 2012).

Krimineli Jankoviç i Jugosllavisë nga viti 1965-1980 shpërnguli me forcë mbi 500,000 shqiptarë, duke vrarë dhe masakruar mijëra prej tyre. Të njëjtën politikë famëkeqe ndoqi edhe Millosheviçi, veçanërisht në vitet 1998-1999, kur përdori politikën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mbi 800,000 shqiptarë u përzunë nga trojet etnike në Kosovë, u dogjën fshatra dhe qytete të tëra, u vranë gra, pleq dhe fëmijë, u pushkatuan njerëz të pafajshëm duke i futur në varre masive. Këto krime barbare si të Hitlerit ngjallën zemërimin e tërë popujve të botës. Mbi 14,000 viktima të pafajshme u vranë, mbi 2,000 u zhdukën ku edhe sot nuk i dihen varret. Kosova u përflak. Kjo e detyroi Presidentin Klinton dhe NATO-n që t’u thonë ndal masakrave fashiste në zemër të Evropës, në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u radhit pranë ushtrisë së NATO-s për t’i dalë zot vendit të tij. Më 24.3.1912 ish-presidenti i Serbisë Tadic këto operacionet e NATO-s kundër Serbisë i quajti agresion ndaj Serbisë.

Me 5 mars 1998, kriminelët serb kryen masakrën gjakatare ndaj fisit Jashari, në Prekaz. U vranë afro 50 pjesëtarë të familjes të familjes dhe të fisit Adem Jashari. Pushtuesit serb e harruan historinë se legjendari Adem Jashari simbolizonte unitetin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar të lirë. Më 27 prill të vitit 1999 forcat militare e paramilitare serbe vrarë e masakruar 377meshkuj të 15 fshatra të rrethit të Gjakovës (Masakra e Mejës).

Popujt e Ballkanit duhet të bashkohen me gjuhën e dashurisë

Populli Anglez ka një thënie të urtë, “shtëpia ime është kështjella ime”. Shqiptarët në Kosovë luftuan për trojet e tyre etnike dhe shtëpitë e tyre.

Me 6 shkurt 1999 në Konferencën e Rambujes u miratua paketa Ahtisari, ku Kosova do të qeverisej në mbikëqyrjen e OKB-së. Me të drejtë ish-presidenti Bush i ShBA.-së, e miratoi plotësisht planin e Ahtisarit, si rruga e duhur për të ecur përpara. “Ky është edhe pozicioni i ShBA.- së,” deklaroi Presidenti George Bush. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, me 10 qershor 2007, Presidenti Bush u prit në mënyrë madhështore nga populli shqiptar, e cila ka hyrë si një ngjarje historike. I intervistuar përpara vizitës nga një televizion shqiptar Presidenti Bush deklaroi, “do të shkoj me kënaqësi të madhe në Shqipëri me një bregdet të bukur, me histori interesante, me njerëz myslimanë që mund të jetojnë në paqe…Unë vij si dashamirës i lirive në një vend ku njerëzit i dinë të mirat e lirisë… Më kanë bërë përshtypje udhëheqësit tuaj”.

Kosova me një popullsi të edukuar, punëtor dhe trima, dëshmoi përpara botës se ishte në gjendje të vetëqeverisej. Për këto arsye me 17 shkurt 2008 Kosova shpallet e pavarur.

Kosova sot është e forcuar ekonomikisht, e konsoliduar si shtet, dhe është njohur deri më sot nga 105 shtete të botës. Me datën 2.2.2014 kreu i Europës Juglindore Xhonatan Mur (Drejtori për Europën Qendrore dhe Juglindore në Departamentin e Shtetit) deklaroi, “Kosova duhet të jetë krenare për sukseset që ka arritur”.

Për sukseset dhe arritjet e Kosovës meritë historike kanë ish-presidenti Rrugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe kryeministri Hashim Thaçi, Gjenerali shqiptar i maleve që bashkoi dhe ngriti në këmbë popullin e Kosovës, përkrah UÇK-së, kundër pushtuesve serb. Meritë historike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ish-presidentin Bush dhe Klinton, vendet anëtare të NATO-s si dhe populli vëlla shqiptar që iu gjend në ditë më të vështira popullit vëlla të Kosovës.

Me 19.4.2013 arrihet në Bruksel marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri Thaçi dhe Daçiç kishin drejtuese baroneshën Ashton. Me 21.4.2013 Parlamenti i Kosovës e miratoi marrëveshjen historike. Shqiptarët në Kosovë shtrinë dorën e paqes me Serbinë, duke u dhënë pakicave serbe në Kosovë dhe Mitrovicë shumë të drejta, bazuar në kushtetutën e Kosovës. Por këto veprime miqësore nuk u reflektuan nga Serbia për shqiptarët në luginën e Preshevës.

Tingëllojnë absurde dhe pavlerë deklaratat e disa udhëheqësve të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, gjë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Me 17.5.2012 Boris Tadic deklaroi nëse fiton si President do e fus Serbinë në Evropë, por do e mbaj edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Me 31.5.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të Metohisë. Me 1.6.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se “mes të Kosovës dhe BE-së do zgjidhnim këtë të fundit…kemi aleaten tonë Rusinë.”

Me 27.7.2012 kur Ivica Daçiç bëri betimin si kryeministër i Serbisë deklaroi se Kosova dhe Metohija do të jenë pjesë e pandarë e Serbisë. Me 27.7.2012 ish -ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç, sot në OKB, deklaroi “sa të jem në postin e lartë në OKB, do të luftoj për mosnjohjen e Kosovës në botë”. Zëvendës kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli e quajti këtë deklaratë të Jeremiç, deklaratë naziste. Ndërsa kryeministri Thaçi iu përgjigj, “nuk do të kthehet ora e historisë mbrapsht”.

Më 31.10.2012 Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton deklaroi, “çështja e pavarësisë së Kosovës është problem i mbyllur, po ashtu edhe tërësia tokësore.”

Në takimin që pati Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me zv/sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Nikolla Burns, dhe sekretarin e shtetit për punë të jashtme, z. Xhon Kerry, me datat 6-7 shkurt 2014, ata vlerësuan punën e presidentit Nishani si garant i kombit: për forcimin e sistemit ligjor dhe ruajtjen e dialogut politik, për reforma në drejtësi, Kosova u vlerësua si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe rajon.

Të huajt që kanë vizituar Mitrovicën nga komuniteti ndërkombëtar me 15.4.2012 kanë vërtetuar se në Veriun e Mitrovicës përtej lumit Dibër nga 13,000 shqiptarë kanë mbetur vetëm 4,000, si rezultat i spastrimit etnik nga struktura paralele kriminale serbe.

Lugina e Preshevës vazhdon të trajtohet nga Beogradi si koloni. Ministrja e Integrimit znj. Vlora Çitaku deklaroi se, “lugina e Preshevës është ndër më të diskriminuarat në Evropë.” Me 8.1.2013 policia serbe shkatërroi në Preshevë Monumentin e Dëshmorëve në qendër të qytetit. Me 20 mars 2013, sërish policia serbe pa shkak rrahu shqiptarin nga Bujanoci sepse nuk kishte marrë leje për të kullotur bagëtinë në tokën e tij. Kjo është çmenduri e shekullit! Edhe në Mal të Zi, përdoret po e njëjta politike diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Nga 100,000 shqiptarë, që banonin në trojet e veta në Mal të Zi, sot kanë mbetur vetëm 40,000. Reprezaljet dhe vrasjet malazeze i kanë detyruar shqiptarët në Mal të Zi të marrin rrugën e kurbetit. Sipas dëshmisë së RTV21 Kosovë është deklaruar se sundimtarët e Beogradin e kthyen Kosovën në tokë të djegur, duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal prej 15 miliard euro. E megjithatë shqiptarët në Kosovë, pa harruar të kaluarën janë si gjithmonë për fqinjësi të mirë, për stabilitet në Ballkan sepse kjo është në interes të dy popujve shqiptar dhe serb, të cilët duan të aderojnë në Bashkimin Evropian. Inkuadrimi në BE arrihet kur mes klasave politike ka mirëkuptim, bashkëpunim me interes reciprok, sepse kjo i shërben mirëqenies së dy vendeve dhe paqes mes popujve.