Prof. Herbert Brücker: Mos kërkoni azil, shikoni shanset për punë

531
Eksperti i Institutit Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin (IAB) Prof. Herbert Brücker, në një intervistë për Deutsche Welle ka folur mbi shanset që kanë qytetarët nga Shqipëria e Kosova për të gjetur një punë në Gjermani. Eksperti gjerman është shprehur se qytetarët e këtyre vendeve nuk duhet të kërkojnë azil, por të shohin shanset për punë që ofron tregu gjerman.
Deutsche Welle: Prof. Brücker sipas një analize të Institutit Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin (IAB) para gati një viti në të ardhmen në Gjermani është i mundur punësimi i plotë – a është afruar kjo e ardhme disi më shumë këtë vit?
Prof. Herbert Brücker: Sigurisht deri tek një punësim i plotë jemi ende mjaft larg, por ajo që vëmë re është se në Gjermani kuotat e punësimit janë rritur në këto pesë vite me 5-6%, kuota e punësimit të punëtorëve të huaj disi më shumë se kaq. Por duhet thënë se ende kemi 5-6% të popullsisë të papunë në Gjermani, tek të huajt kjo kuotë është akomë më e lartë, 12%.
Deutsche Welle: Debati për refugjatët është kthyer në temën kryesore të verës në Gjermani. Refugjatët nga Ballkani zënë pjesën më të madhe të debatit. Shumica prej tyre janë refugjatë ekonomikë, që në Gjermani nuk është arsye për njohjen e azilit. A ka vend ekonomia gjermane për qytetarë nga Shqipëria, Kosova e Ballkani që kërkojnë punë?
Prof. Herbert Brücker: Mendoj se po! Sigurisht kjo varet nga kualifikimi dhe kompetencat që sjellin me vete këta njërëz. Tregu gjerman i punës në pesë vitet e fundit ka krijuar rreth 1 milionë vende të reja pune për të huajt, këto kryesisht në degë si gastronomia, hoteleria, në bujqësi, në sistemin shëndetësor për të moshuarit, apo shërbime të tjera. Këto janë zakonisht profesione ku formalisht kërkohet pak kualifikim, por nga ana tjetër puna është e rëndë fizikisht apo psikikisht. Në këta sektorë ne gjejmë më shumë se mesatarisht fuqi punëtore të huaj, jo vetëm nga Ballkani, por edhe rajone të tjera. Dukshëm tregu gjerman i punës ka nevojë për punëtorë, por edhe për forca mjaft të kualifikuara, sidomos në mjekësi apo në inxhinieri. Por shumica e të punësuarve të huaj zë vend tek punët që kërkojnë më pak kualifikim.
Deutsche Welle: Sipas një propozimi të fundit të krerëve socialdemokratë, azilkërkuesve nga Ballkani u duhet hapur një perspektivë punësimi për sektorë ku ka nevojë, kusht që ata të kenë një kontratë me pagë mbi atë minimale. Si e shikoni këtë propozim?
Prof. Herbert Brücker: Unë e vlerësoj mjaft këtë propozim, por ne kemi problemin që shumica e këtyre njerëzve nga vendet e ish-Jugosllavisë apo Shqipëria vijnë në Gjermani si azilkërkues, dihet se shumicës së këtyre personave nuk ka asnjë shans që t’u njihet azili, nga ana tjetër ata qëndrojnë gjatë në qendrat e pranimit, janë të varur nga asistencat dhe nuk kanë akces në tregun gjerman të punës. Kjo është e shtrenjtë për Gjermaninë, vetë këta njerëz janë të detyruar vetëm të rrinë, ndoshta disa prej tyre përpiqen të bëjnë punë në të zezë – nga pikëpamja politike ekonomike kjo nuk asnjë sens. Prandaj ne duhet ta hapim tregun e punës për të gjithë ata që janë në gjendje të gjejnë një punë në Gjermani, ideale do të ishte nëse ata sjellin me vete edhe një diplomë profesionale, por është e mundur të gjenden module rregullatore edhe për ata që nuk kanë profesion.
Deutsche Welle: Por a mund ta përballojë tregu gjerman një fluks punëtorësh nga Ballkani pa shkaktuar panik në popullsinë gjermane për zënien e vendeve të punës? Kujtojmë debatin e para pak viteve kur u liberalizua tregu i punës për rumunët dhe bullgarët.
Prof. Herbert Brücker: Mendoj se nëse emigrantët vijnë dhe integrohen normalisht në tregun gjerman të punës, atëherë kjo pranohet në opinionin gjerman, problemet tona më të mëdha janë aty ku njerëzit nuk integrohen në tregun e punës apo në shoqëri, këto probleme ishin të njëjta me rumunët dhe bullgarët, por këto probleme i kemi vetëm atëherë kur njerëzit janë të varur nga sistemi social gjerman. Por në momentin kur njerëzit kanë një vend pune, pra një premtim për vend pune, unë këtë do ta bëja kusht, pra kur ata kanë një punë normale, paguajnë taksa, atëherë një gjë e tillë pranohet gjerësisht në opinionin gjerman.
Deutsche Welle: Edhe kancerlarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së parë në Tiranë tha: Azil jo, por perspektiva punësimi. Por cili punëdhënës gjerman do t’i jepte punë një të ardhuri nga Ballkani, dhe si do të mund të arrijë një punëmarrës të krijojë kontakte në Gjermani?
Prof. Herbert Brücker: Në sektorët që e përmenda më lart kemi relativisht një kërkesë të lartë për fuqi punëtore, ky boshllëk mund të mbushet edhe me njerëz nga Ballkani, nuk ka rëndësi nëse ata vijnë nga Rumania, Bullgaria apo vendet e tjera të Ballkanit. Vetë njerëzit duhet të bëhen aktivë, të kontaktojnë direkt punëdhënësit, të bëjnë kërkime në internet, shpesh rruga që përdoret edhe përmes marrjes së informacioneve nga miq e të afërm, pra puna duhet kërkuar në mënyrë shumë aktive, dhe mund të gjesh oferta që ofrojnë pagë sipas tarifave dhe kjo do ta bënte të mundur punën në Gjermani. Për mua ky është një skenar realist.
Deutsche Welle: Në Shqipëri, Kosovë apo vende të tjera të Ballkanit kemi një brez të ri, të shkolluar, me gjuhë të huaja, e hapur ndaj botës dhe pa asnjë shans për punë, nëse nuk ka lidhje me klanin politik që qeveris për momentin. Ky brez do tani të emigrojë, por nga ana tjetër një “brain drain” përbën rrezik edhe për vetë këto vende. Si mendoni ju?
Prof. Herbert Brücker: Sigurisht punësimi nuk duhet bërë sipas teserës politike apo etnisë, në fund të fundit kjo dëmton vetë ekonomitë të këtyre vendeve. Por përsa i përket fenomenit të “brain drain”, më duhet të them se ai mbivlerësohet. Ajo që vëme re ne si ekspertë është se nëse ka mundësi për emigrim njerëzit investojnë më shumë për shkollimin, e frytet qe merr nga ky investim janë shumë më të larta, pra më shumë të rinj mbarojnë maturën, bëjnë një shkollë profesionale apo studiojnë. Një pjesë e këtyre personave rikthehet në vendlindje, një pjesë nuk emigron. Pra përmes mundësisë për emigracion vendet e origjinës kanë më shumë favore duke pasur parasysh këtu burimet njerëzore, pra arsimimi në popullsisë gëzon një nivel më të mirë. Por ka një sektor të cilin do ta veçoja. Në sektorin e shëndetësisë vëmë re po ashtu një “brain drain”, të cilin unë do ta quaja të rrezikshëm për këto vende.
Sigal