Prishtinë, Tahiri: U vendos kufiri elektrik mes Kosovës dhe Serbisë

506
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, vlerësoi arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Operatorit të Sistemit të Transmisionit (KOSTT) dhe organizatës evropiane ENTSO-së, duke theksuar se me këtë marrëveshje Kosova ka fituar njohje ndërkombëtare në sistemin e transmetimit të energjisë dhe është bërë zonë e mëvetme rregulluese në veprimtarinë e saj të transmisionit të energjisë.
“Me këtë marrëveshje Kosova ka arritur subjektivitet ndërkombëtar në fushën e transmisionit të energjisë dhe tash e tutje KOSTT do të jetë partner dhe zonë e mëvetme rregulluese në sistemin e rregullimit të transmetimit në rajon. Kjo arritje e madhe në fushën e energjisë është rezultat i Dialogut të Brukselit përkatësisht i marrëveshjes për Energjinë e arritur më 8 shtator 2013 dhe marrëveshjes së 25 gusht 2015, me të cilën u hoqën pengesat e Serbisëe cila kishte bllokuar Kosovën në këtë çështje”, theksoi Tahiri.
Sipas një komunikate, Tahiri shprehet se marrëveshja për energjinë e vitit 2013 kishte parashikuar heqjen e pengesave të Serbisë ndaj avancimeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në fushën e energjisë, mirëpo, Serbia për dy vite me radhë kishte bllokuar njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar në fushën e transmisionit pranë organizat evropiane ENTSO-S.
“Pas arritjes së marrëveshjes për zhbllokimin e kësaj pengese me 25 gusht 2015 në Bruksel, Serbia më në fund ka hequr pengesat politike dhe ka ndalur obstruksionet në këtë proces, theksoi ajo.
Këto arritje janë në frymën e Traktatit të Komunitetit për Energjinë për Evropën Juglindore ku Kosova ka dëshmuar kapacitete shtetërore përmes KOSTT, i cili ka avancuar punën e vet sipas standardeve evropiane.
Marrëveshja në fjalë vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës. Efektet pra janë politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe se KOSTT tani e tutje do të operojë si sistem i transmetimit të Kosovës sinkron me Sistemin Evropian të Transmetimit të energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.
/Kosovapress/
Sigal