Prishtina dhe Prizreni pa kryetar, rinumërim votash

639
Në Prishtinë dhe Prizren do të ketë rinumërim të plotë të votave të së dielës për zgjedhjet lokale.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa mori këtë vendim pas shqyrtimit të ankesave të dërguara nga partitë politike për këto dy komuna.
Kreu i këtij paneli, Mul Desku ka konfirmuar këtë vendim për KosovaPress. Rinumërimi është kërkuar nga LDK për rastin e Prishtinës dhe PDK për Prizrenin. Në të dyja këto komuna, në numërimin fillestar u shpallën kandidatët e Vetëvendosjes.
Në PZAP u dorëzuan dhjetë ankesa, 2 nga Alternative, 1 nga Lëvizja Vetëvendosje, 4 nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe 3 nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Dy ankesa te Alternatives janë refuzuar. Katër ankesa të LDK-së janë pranuar, 3 ankesa për Komunën e Prishtinës dhe 1 për Komunën e Dragashit. Për Komunën e Prishtinës është vendosur që të rinumërohen të gjitha vendvotimet. Në komunën e Dragashit është vendosur që të rinumërohen 35 vendvotime. Prej 3 ankesave të parashtruara nga PDK-ja, 2 ankesa të PDK-së janë pranuar një për komunën e Prizrenit dhe një për komunën e Rahovecit. Për komunën e Prizrenit është vendosur që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa për Komunën e Rahovecit është vendosur që të rinumërohen 3 vendvotime, 1 ankesë e PDK-së është refuzuar. 1 ankesë e paraqitur nga LVV dhe është pranuar”, ka njoftuar PZAP.
PZAP ka theksuar se është urdhëruar KQZ që votat e regjistruara gabimisht kandidatit për kryetar të PDK-së për Prizren ti regjistrohen kandidatit për kryetar të LVV-së për Komunën e Prizrenit.
Sigal