Presidentja e Brazilit, Rousef: Kemi humbur betejën me virusin Zika

524
Brazili po e humbet luftën me mushkonjën që përhap virusin Zika. Lajmi është publikuar nga vetë Presidentja braziliane Dilma Rousef, e cila bëri thirrje për përpjekje kombëtare, për të zhdukur këtë insekt.
Rousef tha se tashmë ky virus është shndërruar në një kërcënim ndërkombëtar dhe është tmerrësisht shumë e vështirë për ta lutftuar sepse shkaqet janë ende të paqarta.
“Zika nuk është më vetëm një çështje dhe shqetësim brazilian por ka goditur edhe vende të tjera të Amerikës Latine. Ne nuk kemi eksperiencë me këtë gjë, nuk mund ta krahasojmë me asgjë që ka ndodhur në të shkuarën dhe studimet për këtë virus ende vijojnë. Ajo çka na duhet në mënyrë imediate, është të gjejmë lidhjen mes mushkonjës dhe sëmundjes” tha presidentja në një konferencë të posaçme për mediat.
Nga 13 shkurti, më shumë se 20 mijë ushtarë do të dalin në terren në mbarë vendin në përpjekje për të eliminuar infektimin nga kjo mushkonjë. Por presidentja i bëri thirrje cdo qytetari që të jetë i ndërgjegjshëm për këtë rrezik, që të shmangin sa më shumë daljet publike, të shmangin përdorimin e ujërave të lumenjve dhe të sigurojnë shtëpitë.
“Ne po e humbasim këtë luftë. Përsa kohë kjo mushkonjë vazhdon të riprodhohet, secili prej nesh po humbet betejën. Duhet të mobilizohemi të gjithë” shtoi Presidentja e Brazilit.
Vetëm në Brazil, deri më tani, virusi Zika ka prekur mijëra fëmijë, që kanë lindur me mikrocefali, që nënkupton anomali, kokë të vogël dhe tru të pazhvilluar.
Sigal