Presidenti Trump takon shefat e BE-së para takimit të lartë të NATO-s

522
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se Bashkimi Evropian dhe presidenti amerikan Donald Trump, duket të kenë qëndrime të ndryshme përballë Rusisë, ndryshimeve klimatike dhe tregut botëror.
Presidenti amerikan Donald Trump, takoi të enjten udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel, paka para hapjes së takimit të udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s. Ai u prit nga presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk. Presidenti Trump i cili kishte shprehur rezerva ndaj vlerave të BE-së gjatë fushatës së tij dhe kishte përshëndetur BREXIT-in, është përballuar me thirrjet e udhëheqësve evropian që të vazhdojë mbështetjen amerikane ndaj integrimit të kontinentit.
Pas takimit, presidenti Tusk tha se janë pajtuar lidhur me luftën kundër dhunës së militantëve dhe rreth Ukrainës,
“Kam ndjenjën se jemi pajtuar në shumë fusha, pikë së pari rreth luftës kundër terrorizmit. Por, disa çështje mbeten të hapura, siç janë ndryshimet klimatike dhe tregu si dhe nuk jam 100 për qind i sigurt se kemi qëndrime të njëjta, mendime të njëjta mbi Rusinë, ndonëse kur flasim për konfliktin ne Ukrainë, duket se jemi në një vijë”, tha zoti Tusk.
Presidenti Trump arriti të mërkurën në Bruksel ku të enjten udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen në takimin e lartë, nën masa të mëdha sigurie pas sulmit terrorist të së hënës në Mançester.
sulmit terrorist të së hënës në Mançester.
Sigal

Ky është rasti i parë që shumë udhëheqës të NATO-s takohen me presidentin Trump, i cili gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar e kishte quajtur NATO-n “të vjetruar” për shkak të mungesës së luftës së frytshme kundër terrorizmit.
Sulmet e fundit terroriste në Evropë, duket se do t’i mundësojnë presidentit amerikan të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të forcuar përpjekjet e aleancës kundër terrorizmit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet anëtare të aleancës do të pajtohen sot për pjesëmarrjen e NATO-s në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit militant Shteti Islamik.
“Kjo do të dërgojë mesazh të fuqishëm politik për angazhimin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”, tha ai para takimit të udhëheqësve të aleancës.
Mali i Zi në NATO
Nën hijen e zhvillimeve të fundit në Evropë, Mali i Zi, nga sot do të ketë vendin e tj në takimet e NATO-s.
“E mirëpresim Malin e Zi si anëtarin e 29-të të aleancës. Kjo është e rëndësishme për Malin e Zi, është e rëndësishme për NATO-n, është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu tregon se dyert e NATO-s janë të hapura, tregon se Mali i Zi është reformuar”, tha të enjten sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Më 2015 NATO-ja i kishte bërë ftesë për anëtarësim Malit të Zi, duke nxitur zemërimin e Rusisë e cila nuk e sheh me sy të mirë zgjerimin e NATO-s.
Anëtarësimi i tij bën shënon zgjerimin e parë të NATO-s që nga viti 2009 kur ishin anëtarësuar Shqipëria dhe Kroacia.
Mali i Zi, me rreth 630 mijë banorë, ka një ushtri të vogël, me rreth 2 mijë ushtarë aktivë.