Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë

540
Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi si reagim ndaj sanksioneve amerikane për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë. Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë, si dhe masa të reja ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut të përfshira në legjislacion.
Zoti Putin i tha një rrjeti televiziv rus se qeveria e tij mund të marrë edhe masa të tjera kundër Shteteve të Bashkuara, por se sot për sot ai “do të ishte kundër tyre”.
“Ne kemi një numër të madh alternativash. Po reagojmë tani sepse amerikanët ndërmorën këtë hap të paprovokuar drejt keqësimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi, duke imponuar kufizime të paligjshme dhe duke u përpjekur të ushtrojnë ndikim tek vende të tjera, përfshirë aleatët e tyre që janë të interesuar në ruajtjen dhe përparimin e lidhjeve me Federatën Ruse”.
Departamenti i Shtetit nuk pranoi të japë numrin e saktë të diplomatëve ose zyrtarëve amerikanë në Rusi, por mendohet që numri të jetë rreth 400, disa prej të cilëve kanë anëtarë të familjeve me pasaporta diplomatike.
Një numër i madh i mbi 1000 punonjësve të misionve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petërsburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.
Kongresi amerikan i miratoi sanksionet e reja të enjten. Legjislacioni për sanksionet, demonstroi diçka të rrallë në Kongres, një mbështetje dërrmuese nga të dyja palët.
“Ne nuk do të tolerojmë sulme ndaj demokracisë sonë. Ky është synimi i kësaj pakete”, tha senatori republikan John McCain.
Sanksionet vënë në shënjestër segmente të gjera të sektorëve më me rëndësi për Presidentin Putin.
“Sanksionet e detyrueshme që lidhen me sektorët e energjisë, financave, zbulimit dhe mbrojtjes”, tha senatori demokrat, Ben Cardin.
Ministria e Jashtme e Rusisë ishte e para që reagoi të premten duke propozuar reduktimin e personelit diplomatik dhe teknik amerikan në Rusi në të njëjtin nivel sa ç’është personeli rus në Shtetet e Bashkuara, në 455 vetë dhe shtoi se kjo duhet realizuar deri në fund të gushtit.
Megjithatë zëvendës ministri i jashtëm rus.Sergei Ryabkov tha të dielën se beson që ka fusha ku të dyja palët mund dhe duhet të punojnë së bashku, përfshirë mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, kundërterrorizmi, trafiku njerëzor, imgracioni i paligjshëm dhe ndryshimet e klimës.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për sanksionet.
Ndërsa Kongresi ishte angazhuar prej kohësh në negociatat për legjislacionin, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër për shkak të një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Kjo përfshin vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mbyllur dy komplekse ruse dhe për të dëbuar 35 diplomatë për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
Analistët politikë në Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar se zoti Trump, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet me Putinin, mund t’i shfuqizonte sanksionet e ish- Presidentit Obama kur të merrte detyrën në janar, por ai nuk e bëri këtë.
Që nga ajo kohë, muajt e parë të Presidencës së zotit Trump janë shoqëruar nga hetime të shumta për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, të përqendruara veçanërisht për të analizuar nëse ndihmësit e tij kishin bashkëpunuar me Moskën për ta ndihmuar atë të fitonte.
Hetimet kanë si synim gjithashtu t’i japin përgjigje pyetjes nëse zoti Trump pengoi drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey, që ishte në krye të hetimit për Rusinë.
Një tjetër ish-drejtor i FBI-së, Robert Mueller, u emërua për të drejtuar një hetim të posaçëm.
Moska e ka hedhur poshtë përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti Putin personalisht kishte orkestruar ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Presidenti Trump i ka quajtur hetimet “gjueti shtrigash” dhe një justifikim që sipas tij kanë përdorur demokratët për të shpjeguar fitoren e tij të papritur ndaj kandidates Hillary Clinton.
Sigal