Presidenti Trump mbush 100 ditët në detyrë

452
Dje presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara mbushi 100 ditë në detyrë. Për 100 ditët, presidenti Trump renditi para një turme entuziaste një sërë veprimesh të ndërmarra, duke thënë se koha e tij në detyrë ishte “shumë interesante dhe produktive”. Ai ishte në Pensilvani për takime me përkrahësit e tij, të cilëve u përmendi rikthimin e minatorëve të qymyrgurit në punë, mbrojtjen e metalurgëve në industritë e çelikut dhe aluminit, eliminimin e rregulloreve që bëjnë të vështirë krijimin e vendeve të punës. Zoti Trump theksoi gjithashtu përkushtimin e tij për ndërtimin e murit kufitar midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Presidenti Trump foli në një tubim në Harrisburg të Pensilvanisë të shtunën, në një arenë të mbushur me mbështetës të tij, duke e përshëndetur me brohoritjet “USA! USA! USA!”
“Ne kemi nevojë për murin për të ndaluar drogën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Në vetëm 100 ditë kemi ndërmarrë hapa historikë për të siguruar kufirin tonë, imponuar kontrollin e nevojshëm të imigracionit, siç nuk ka ndodhur më parë, apo jo? Dhe ata që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë do të kontrollohen siç duhet. Ata që do të vijnë do të vijnë se e duan vendin tonë. Nëse jo nuk do t’i pranojmë. Ne po veprojmë sipas një parimi shumë të thjeshtë, se sistemi ynë i imigracionit duhet t’u japë përparësi punëtorëve amerikanë, familjeve amerikane, kompanive amerikane dhe qytetarëve amerikanë” tha ai.
Presidenti shfrytëzoi rastin për t’iu kthyer një teme të preferuar, sulmeve ndaj medias, sidomos ndaj disa kanaleve televizive që i akuzon se transmetojnë lajme të rreme. Ishte një koment që gjeti jehonë tek turma dashamirëse e presidentit.
Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e “një sistemi të prishur plaçkitjeje globale në kurriz të amerikanëve” dhe premtoi se brenda dy javësh do të merrte një “vendim të rëndësishëm” lidhur me Marrëveshjen e Parisit mbi Klimën.
Sigal