Presidenti Trump kritikon përsëri mediat për “lajme të rreme”

52
Presidenti Donald Trump u kthye në Uashtington, pas udhëtimit të tij 9-ditor në Europë. Ai deklaroi se turneu i tij europian ishte një sukses i madh për Amerikën. “Shumë punë, por patëm rezultate të shkëlqyera”, tha ai.
Presidenti Trump kritikoi mediat për njoftimet se Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në shqetësime dhe për hetimin e ndihmësve të tij dhe lidhjeve të tyre me Rusinë. Ai i akuzoi përsëri ato për publikimin e “lajmeve të rreme”. Këto lloj lajmesh shkruhen nga “gazetarë të rremë”, tha ai, duke shtuar se “Lajmet e rreme janë armiku!”
Presidenti komentoi për zgjedhjen javën e kaluar të anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Montanës. Republikanin Greg Gianforte e akuzuan për sjellje fyese ndaj medias, një incident të cilin Presidenti e cilësoi “mbulim i keq nga media”.
Ai tha se zgjedhja pas incidentit e Gianfortes ishte “një fitore e madhe për republikanët në Montana.”
Pas kthimit nga turneu europian Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshen me problemin e hetimeve mbi lidhje të mundshme me zyrtarë rusë gjatë fushatës elektorale, si dhe me akuzat e opozitës për përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Një prokuror i posaçëm po zhvillon hetime në se ndihmësit e zotit Trump kanë bashkëpunuar fshehurazi gjatë fushatës elektorale me zyrtarë rusë, me synimin për ta ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet. Po ashtu, komisionet e Kongresit janë mbledhur në seanca të posaçme, ku kanë dëshmuar një numër ndihmësish dhe ish-ndihmësish të zotit Trump.
Shtëpia e Bardhë po përgatitet për dëshminë që do të japë së shpejti ish shefi i FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e pushoi nga puna, edhe pse ai ishte duke drejtuar hetimin mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Një tjetër person që do të merret në pyetje lidhur me këtë çështje është edhe dhëndërri i Presidentit, Jared Kushner, një nga këshilltarët kryesorë në Shtëpinë e Bardhë.