Presidenti Thaçi për Reuters: Serbia dëshiron ta aneksojë Veriun si Rusia Krimenë

96

Serbia planifikon t’i marrë Kosovës një pjesë të veriut të saj, ashtu sikurse Rusia e ka aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë më 2014, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Reuters, të hënën, teksa dy fqinjët ballkanas po akuzojnë njëri-tjetrin për luftënxitje.
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës të shtunën kanë ndaluar hyrjen në Kosovë të një treni nga Beogradi, me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Të dielën, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se veprimi i ndërmarrë nga Kosova ka treguar se Prishtina dëshiron luftë me Beogradin.
Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka thënë se treni ka pasur qëllim t’i “provokojë” kosovarët, për të krijuar një pretekst për Serbinë që të ndërhyjë ushtarakisht dhe të ankesojë zonat veriore të Kosovës, ku jetojnë nja 50.000 serbë, të cilët refuzojnë të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe duan që ajo të qeveriset përsëri nga Beogradi, transmeton Gazeta Express.
“Qëllimi i Serbisë është ta përdorë këtë tren, që i është dhuruar nga Rusia, fillimisht për të shkëputur pjesën veriore të Kosovës, dhe më pas për t’ia bashkëngjitur atë Serbisë. Ky është modeli i Krimesë”, ka thënë Thaçi për Reuters.
Ai i është referuar gadishullit ukrainas të Krimesë, ku është e përqendruar flota ruse e Detit të Zi, dhe ku banojnë kryesisht rusë, të cilët, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, kanë vazhduar t’i qëndrojnë besnikë Moskës, dhe jo qeverisë së re të pavarur në Kiev.
Rusët e Krimesë e kanë mirëpritur aneksimin e gadishullit nga Moska – i kryer fillimisht nga ushtarë me uniforma të pashënuara, për të fshehur identitetin e tyre – ndonëse ky hap nxiti sanksione ekonomike perëndimore ndaj Rusisë.