Sigal

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Gjatë këtij takimi, Thaçi dhe Bush kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Në postimin e tij në Facebook, ku tregon për këtë takim, Presidenti i Kosovës rrëfen një këshillë të ish-presidentit amerikan.  “Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”, kanë qenë fjalët e George Bush. Ndërkaq gjatë këtij takimi, Thaçi ka dekoruar ish-presidentin Bush me “Urdhrin e Pavarësisë” për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Postimi i Plotë i Hashim Thaçit

Në Dallas takova mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentin George Bush. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor diskutuam për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës.

Bashkë evokuam shumë kujtime nga e kaluara jo e largët, mirëpo fokusi ynë ishte tek përpjekjet e tashme të shtetit tonë për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.

Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE.

Sigurisht se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë. Por, presidenti Bush më dha një këshillë të çmuar, të cilën dua ta ndaj me ju.

“Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”.

Duke i shprehur mirënjohjen më të lartë në emër të qytetarëve të Kosovës, sot kisha privilegjin që presidentin Bush ta dekoroj me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. HTH (Foto: Astrit Ibrahimi)