Presidenti Ivanov nuk do ta nënshkruajë ligjin për gjuhët

469
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur sot se nuk do ta nënshkruaj ligjin për gjuhët të cilin e miratoi parlamenti i Maqedonisë para një jave. Duke iu drejtuar opinionit publik përmes një mesazhi, ai theksoi se arësyetimin ia ka dërguar parlamentit, ndërsa u bëri thirrje ligjvënësve që t’i rishikojnë vërejtjt e tij.
“Ligji u miratua pa një debat publik, pa konsultuar ekspertët dhe pa opozitën”, thekson presidenti maqedonas duke shtuar se ligji po ashtu u miratua pa një direktivë të Bashkimit Evropian.
Presidenti Ivanov shkruan më tej se në punën e tij gjithmonë ka respektuar Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të vendit. Ai vlerëson se miratimi i ligjit synonte arritjen e pikëve politike nga parti të caktuara.
Qëndrimi i zotit Ivanov ndaj këtij ligji ishte i njohur. Edhe në paraqitjen e fundvitit para deputetëve ai pati theksuar se “Maqedonia do të bëhej shteti i parë evropian i cili i parashtron kushte vetëvetes të cilat ashkush, nuk i kërkonte”.
Zoti Ivanov, i cili po ushtron mandatin e dytë si president, i propozuar dhe mbështetur nga partia konservatore VMRO-DPMNE, thotë se ligji për gjuhët instalon një paralelizëm në të gjitha organet e pushtetit dhe bën bllokimin e tyre, ndërsa ekziston rreziku, sipas tij, për ripërkufizimin e Kushtetutës që do të cënonte bashkimin, sovranitetin dhe integritetin tokësor të Maqedonisë.
Ndërkaq në një reagim të qeverisë së Maqedonisë thuhet se ligji ishte miratuar në mënyrë të duhur sipas procedurave të parashikuara në parlament dhe në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës së Maqedonisë.
“Opozita kishte të gjitha mundësitë që përmes amendamenteve të marrë pjesë në përmirësimin e ligjit, por opozita vetë mori vendim për të mos marrë pjesë në procesin politik për ligjin e gjuhëve”, thuhet në një komunikatë të qeverisë, ndërsa theksohet më tej se “nëse një qytetar ndjen nevojë të flasë në gjuhën e tij amtare, me këtë përfitojnë të gjithë qytetarët dhe Republika e Maqedonisë. Me këtë ligj e avancojmë përdorimin e gjuhëve të gjitha komuniteteve në vend”, nënvizon qeveria.
Ligji në veçanti avanconte gjuhën shqipe e cila do të mund të përdorej në institucione të larta shtetërore dhe publike ku nuk kishte zënë vend deri më tash.
Pas vendimit të presidentit Ivanov, i takon parlamentit që të vendosë në një lexim të tretë, ku sipas pritshmërive, ligji do të miratohet edhe një herë, pa pasur nevojë për të debatuar më mbi të.
Sigal