Presidenti i ri, Trump: Do të dalim nga Partneriteti i Trans-Paqësorit

483
Sigal

 

Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se në ditën e
parë në detyrë do të njoftojë zyrtarisht se Amerika po tërhiqet nga
Partneriteti Trans-Paqësor, një pakt për tregti e shkëmbime të lira me
pjesëmarrjen e 12 vendeve të pellgut të Paqësorit. Kjo masë, thonë përfaqësues
të presidentit të ardhshëm, merret në kuadër të disa hapave me synimin për të
vënë në plan të parë interesat e Amerikës:

Përmes
një video të vënë në YouTube të hënën, zoti Trump kritikon marrëveshjen për
tregti të hapur në Trans-Paqësor, duke e quajtur “shkatërrimtare për Amerikën”.

“Në
vend të saj do të negociojmë marrëveshje të drejta dypalëshe për tregtinë, të
cilat do të rikthejnë vendet e punës dhe sektorët e prodhimit në tokë
amerikane”.

Ministra
nga 12 vendet që e nënshkruan marrëveshjen, thanë në shkurt të këtij viti se
synimi ishte “shtimi i begatisë, krijimi i vendeve të punës dhe nxitja e
rritjes së qëndrueshme ekonomike për të gjitha vendet pjesëmarrëse”.

Kryeministri
japonez Shinzo Abe sot në komentet për shtyp tha se pa pjesëmarrjen e Shteteve
të Bashkuara, marrëveshja praktikisht merr fund.

“Marrëveshja
është e pakuptimtë pa Shtetet e Bashkuara. Tërheqja e Amerikës do të trondiste
balancën e përfitimeve nga ky pakt, prandaj do të jetë i pamundur ri-negociimi.
Do t’i bëja thirrje administratës së ardhshme amerikane të shmangte komentet në
këtë fazë”.

Presidenti
Barak Obama e mbështeti paktin, por Kongresi nuk e ka ratifikuar, pra Amerika
zyrtarisht nuk është pjesëtare e tij.

Ministri
australian i Tregtisë Steve Ciobo këmbëngul se tërheqja e Amerikës nuk është
medoemos fundi i marrëveshjes:

“Mënyra
si u hartua marrëveshja TPP e bën të nevojshëm ratifikimin e saj në vendet
anëtare, por ratifikimi mund të bëhet brenda një periudhe 24 mujore. Deri tani
kanë kaluar rreth 8-9 muaj, pra ka ende kohë”.

Pa
Shtetet e Bashkuara TPP bëhet e pavlefshme, pasi nevojitet miratimi nga të 12
anëtarët, ose së paku nga 6 anëtarë, ekonomitë e të cilëve përfaqësojnë 85% të
prodhimit të përbashkët bruto të të gjithë grupit. Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë
60% të prodhimit të përbashkët të të gjithë grupit, pra bëhet e pamundur
përmbushja e parakushtit nëse tërhiqet Uashingtoni.

Tani
që pakti i tregtisë është në kërcënim serioz, përkrahësit e kësaj marrëveshjeje
po ngrenë shqetësimin se Kina mund të marrë tani rolin udhëheqës në shkëmbimet
tregtare të rajonit. Prej kohësh Kina është përpjekur të ngrejë një pakt
paralel për nxitjen e tregtisë në Azi-Paqësor, të quajtur Partneriteti Rajonal
Ekonomik, pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara