Presidenti francez Macron kërkon ushtri europiane

564
Presidenti francez i bëri thirrje Bashkimit Europian për krijimin e një force ushtarake mbrojtëse, si pjesë e vizionit të tij për të ardhmen e bllokut.
Duke paraqitur një seri reformash, Emmanuel Macron propozoi gjithashtu bashkëpunim më të madh në fushat e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
Macron mori pushtetin më maj, me premtimin se do të përforcojë Eurozonën dhe do të thellojë integrimin europian para “Brexit”. Por planet e tij për reforma brenda Francës kanë shkaktuar mjaft polemika dhe protesta, e ndërsa popullariteti i tij bie ndjeshëm, ekspertët mendojnë se thirrja për ushtrinë europiane është një taktikë për të tërhequr vëmendjen.
Ideja e ushtrisë së përbashkët europiane nuk është asgjë e re dhe diskutohet prej kohësh, por nga Universiteti i Sorbonës, Macron nguli këmbë fort në këtë temë dhe tha se dëshiron që Bashkimi Europian të përmirësojë sistemet e përbashkëta mbrojtëse, e të ketë një forcë të përbashkët ushtarake me aftësi autonome për t’u hedhur në veprim.
“Europa që ne njohim është tepër e dobët, tepër e ngadaltë dhe shumë jo efikase. Por vetëm Europa mund të na japë mjete për të vepruar në skenën botërore, ndërsa përballemi me sfidat e ditës”, deklaroi Macron.
Mes propozimeve të tjera, veç buxhetit të përbashkët për ushtrinë europiane dhe një akademi për ta stërvitur atë, Macron tha se BE-ja duhet të krijojë një taksë unike europiane për transaksionet financiare.
Sigal