Presidenti Aleksandër Vuçiç: Nuk ka prova se kush e kreu vrasjen e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit

599
Sigal

Aleksandër Vuçiç i tha parlamentit serb të hënën në mbrëmje se “nuk ka prova se kush e kreu vrasjen” e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit – shtetas amerikanë me origjinë shqiptare të vrarë në Serbi në vitin 1999.

Vuçiç tha se pa dëshmi, askush nuk do të arrestohet bazuar “vetëm në raportet e medias dhe pretendimet e avokatëve”, sepse “Serbia është një shtet serioz”.

Familja e vëllezërve Bytyqi ka akuzuar vazhdimisht Vuçiçin për mos përmbushje të premtimeve të tij për të bërë progres drejt sqarimit të kësaj çështjeje.

Ata besojnë se Goran Radosavljeviç, i njohur ndryshe si Guri, i cili ishte komandanti i një qendre trajnimi policor ku u gjetën trupat e vëllezërve, është i dyshuari kryesor në këtë rast.

Radosavljeviç, i cili tani është një zyrtar i lartë i Partisë Progresive në pushtet të Vuçiçit, u hetua shkurtimisht për krimin nga prokuroria serbe, por asnjëherë nuk u padit. Ai mohon çdo përfshirje në këtë çështje.

Vuçiç tha të hënën se Radosavljeviç nuk mund të arrestohej pa prova.

“Janë vrarë njerëz, krimi është kryer, por kur kërkoni prova nga dikush, ata thonë ‘pse nuk e arrestoni Gurin?’ Pastaj ne u kërkojmë prova për këtë dhe ata na thonë se nuk ka prova,” tha ai.

Të hënën, familja Bytyqi i bëri thirrje Vuçiçit t’i bëjë presion Vlastimir Djordjeviçit, një ish-zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme serbe, i cili u dënua nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kosovë, që të zbulojë më shumë informacione rreth rastit dhe për varre të tjera të fshehura nga koha e luftës në Kosovë.

Ata dyshojnë se Djordjeviç, i cili mund të fitojë lirimin e parakohshëm, ishte gjithashtu i implikuar në vdekjen e vëllezërve.

Të tre vëllezërit Bytyqi shkuan të luftonin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës ndërsa shkelën një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi shlyen dënimet për kalim të paligjshëm kufiri, ata u arrestuan përsëri pasi dolën nga burgu në qytetin Prokuplje në Serbinë jugore, u dërguan në qendrën policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.

Ata më pas u lidhën me tel nga një person i panjohur dhe u çuan pranë një grope plehrash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe më 9 korrik 1999.

Gjatë gjyqit të dy oficerëve të policisë serbe të cilët u përfundimisht u liruan nga akuzat për transportimin e vëllezërve në qendrën policore të trajnimit, dëshmitarët pohuan se Djordjeviç i urdhëroi ata t’i çonin shqiptaro-amerikanët në Petrovo Selo.

Radosavljeviç ka këmbëngulur se ai ishte me pushime kur vëllezërit u vranë.

Në dhjetor 2018, qeveria amerikane i ndaloi atij hyrjen në vend për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën e Kosovës.

Ai në atë kohë tha se nuk donte të komentonte mbi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“I dhashë deklarata autoriteteve hetimore, fola rreth njëqind herë, kështu që nuk ka kuptim që të flas për këtë,” tha Radosavljeviç për Radio Europa e Lirë.