Pr/ligji për të drejtën e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve prezantohet në parlamentin Italian

453
Është prezantuar në Komisionin e çështjeve legjislative të parlamentit italian testi unik për reformën e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve me leje qëndrimi të rregullt në Itali.
Prej më shumë se 2 vitesh 22 propozime ligjesh mbi reformën e nënshtetësisë janë depozituar në Parlamentin italian pa u marrë kurrë në diskutim.
Relatorja e projektligjit të fundit të kësaj reforme deputetja e Partisë Demokratike Marilena Fabri deklaroi për mediat se ka besim që ky propozim do të merret në diskutim në dhomën e deputetëve në muajin shtator e do të ketë një përfundim pozitiv.”
Sipas tekstit të këtij projektligji bëhen nënshtetas italianë të gjithë fëmijët e emigrantëve të lindur në Itali, me prindër me leje të rregullt qëndrimi e rezidencë në Itali të paktën 5 vjet.
Bëhen nënshtetas italianë të gjithë ata fëmijë emigrantësh, me prindër që nuk i përmbushin këto kërkesa por që kanë mbërritur në Itali në moshën minorene e pasi kanë frekuentuar sistemin shkollor italian të paktën për 5 vjet.
Do të jenë prindërit e fëmijëve që do të prezantojnë kërkesën e njohjes së nënshtetësisë me anë të një “deklarate dëshire”.
Në rast se nuk e bëjnë do të jenë fëmijët e emigrantëve që pasi mbushin moshën mazhorene kanë dy vjet kohë për të prezantuar kërkesën e tyre për tu bërë nënshtetas italianë. Gjithashtu nëse fëmijët e emigrantëve janë bërë nënshtetas italianë me dëshirën e prindërve, në moshën mazhorene mund të heqin dorë nga kjo nënshtetësi.
Nënshtetësia italiane e fëmijve nuk garanton nënshtesinë italiane për prindërit e tyre. Ky projektligj garanton një reformë në të drejtën e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve ndërsa për prindërit e tyre vazhdon të jetë në fuqi ligji aktual që kërkon të paktën 10 vjet rezidencë të rregullt në Itali.
Relatorja e tekstit deputeteja Marilena Fabbri u shpreh se “shoqëria italiane që jeton krah më krah cdo ditë me familjet e emigrantëve të rregullt në Itali, që dërgojnë fëmijët në shkolla e që jetojnë bashkarisht me ne shpresat e preokupimet e Italisë së sotme, e pra kjo shoqëri nuk ka frikë nga nënshtetësia e fëmijëve që rriten duke u ndjerë italianë.”
Nuk kanë munguar si gjithmonë polemikat e debatet politike të së djathtës italiane mbi këtë projektligj.
Në një deklaratë shtypi Forca italia është shprehur kundër tij duke theksuar se për këtë forcë politike ekzistojnë vlera të panegociueshme sic janë respekti, mbrojtja e krenaria e të qënit italianë. Ky tekst reforme nuk respekton asnjë nga këto principe.”
Sigal