Portugali, jep dorëheqjen ministrja e Brendshme pas kritikave për menaxhimin e situatës së zjarreve

536
Ministrja e Brendshme portugeze, Constança Urbano de Sousa dha sot dorëheqjen ndërsa qeveria është gjithnjë e më shumë nën shënjestrën e kritikave për menaxhimin e situatës së zjarreve në pyje që shkaktoi më shumë se 100 të vdekur në më pak se katër muaj.
Kryeministri Antonio Costa, në krye të një qeverie socialiste të pakicës e mbështetur në Parlament nga e majta radikale pranoi dorëheqjen, sipas një deklarate të kabinetit të tij.
Portugalia u godit për herë të dytë në katër muaj nga një situatë mjaft tragjike në historinë e saj për shkak të zjarreve. Ato shënuan 41 të vdekur të dielën dhe të hënën, dhe 71 të plagosur, sipas bilancit të fundit të mbrojtjes civile.
Qershorin e kaluar, 64 persona vdiqën si pasoja e një zjarri të rënë në afërsi të Pedrogao Grande, në qendër të vendit.
Duke u përballur me kritika të shumta të kundërshtarëve të tij në lidhje me mungesën e kompetencave të qeverisë për të parandaluar një katastrofë të re, kryeministri portugez është angazhuar për të kryer reforma të thella në fushën e menaxhimit të pyjeve dhe luftës kundër zjarreve.
Sigal