Policia: Shumica e autorëve të sulmeve seksuale në Këln nuk do të kapen

530
Shumica e personave që sulmuan seksualisht qindra gra në Këln të Gjermanisë gjatë natës së ndërrimit të viteve mbase nuk do të kapen asnjëherë. Kështu ka deklaruar kreu i policisë së qytetit, Juergen Mathies, duke shtuar se pamjet e marra nga kamerat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të identifikuar autorët apo edhe krimet seksuale. Detektivët kanë identifikuar 75 të dyshuar, shumica nga Afrika e Veriut, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Gjermani ose janë azilkërkues. Më shumë se 500 padi penale janë paraqitur në polici, ku 40% prej tyre pretendojnë për sulme seksuale.
“Videot nuk mjaftojnë për të identifikuar qartë sulmet seksuale. E gjitha cfarë shihet në to janë disa vjedhje. Aktualisht më së shumti po mbështetemi tek dëshmitë e viktimave për të identifikuar sulmuesit”, u shpreh Mathies.
Dy marokenë dhe një tunizian do të paraqiten në gjyq për vjedhje, duke shënuar kështu edhe herën e parë që autorët e sulmeve të vitit të ri paraqiten në gjykatë.
Trembëdhjetë persona janë arrestuar për vjedhje, por vetëm një 26-vjeçar algjerian azilkërkues është arrestuar me dyshimin për sulm seksual. Paraardhësi i Mathies ‘Wolfgang Albers u shkarkua nga detyra pas sulmeve seksuale dhe grabitjeve. Sipas një raporti zyrtar, policia e Këlnit ka bërë “gabime të rënda” duke mos përforcuar masat e sigurisë gjatë natës së vitit të ri dhe duke fshehur në një farë mënyre ngjarjet ditët e para të 2016.
Më 31 dhjetor një bandë prej 1 mijë perosnash, me origjinë arabe dhe afrikane sulmuan qindra gra në afërsi të stacionit kryesor të trenit në Këln.
Sigal