Sigal

Në Polin e Veriut, në pesë vitet e fundit është regjistruar periudha më e ngrohtë në histori ndërsa ky rajon është ngrohur dy herë më shumë se pjesa tjetër e botës.

Programi për studime të Polit të Veriut pranë Agjencisë Kombëtare të SHBA-së për Oqeane dhe Atmosferë publikoi raportin për Polin e Veriut, ku kanë punuar 81 shkencëtare nga 12 vende.

Në raport thuhet se në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018, në rajonin e Polit të Veriut, që nga viti 1900, kur filloi regjistrimi i temperaturës, është regjistruar periudha më e nxehtë deri më tani. Po ashtu thuhet se ky rajon është ngrohur dy herë më shumë nga pjesa tjetër e botës.

Raporti potencon se ndryshimi i temperaturës u ndje në rajonet e largëta nga Poli i Veriut, duke shkaktuar ndryshime të rëndësishme në trendet e temperaturës në mbarë botën.

Më tej shtohet se akullnaja më e vjetër në Polin e Veriut është shkrirë për 95 për qind në 33 vitet e fundit dhe se popullata e irvasëve (drerit verior) në rajon është reduktuar me 56 për qind në dy dekadat e fundit, nga 4.7 milionë në 2.1 milionë.

Susan M. Natali, nga Qendra Woods Hole në Massachusetts, e cila merret me studimet e Polit të Veriut, për “New York Times” deklaroi se raporti paraqet një lloj paralajmërimi.

“Çdo herë kur shohim një raport, na bëhet e qartë se gjërat shkojnë në drejtimin e gabuar, dhe nuk ndërmarrim asgjë. Raporti në fjalë mbështet qëndrimin se ndryshimet klimatike janë të dukshme”, tha Natali.