Plani tarifor i Trump, republikanët të shqetësuar: Presidenti të rimendojë propozimin

552
Partia Republikane duket e shqetësuar për planin e presidentit Donald Trump për taksimin e metaleve të importuara. Një prej zyrtarëve më të lartë të partisë, Paul Ryan ka kërkuar që presidenti të tërhiqet nga propozimi, që sipas tij rrezikon rritjen ekonomike të vendit. Lajmërimi se Trump do të vendoste taksa për metalet e importuara nxiti reagime të ashpra edhe ndërkombëtarisht.
Republikanët nuk e kanë mirëpritur planin e presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave mbi metalet.
Folësi i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan u shpreh i shqetësuar për ndikimin e një lufte tregtare, duke shtuar se një situatë e tillë mund të rrezikojë edhe përfitimet ekonomike të Shteteve të Bashkuara.
Ryan si edhe shumë anëtarë të tjerë nga rradhët e republikanëve madje kanë nxitur Shtëpinë e Bardhë të rimendojnë edhe njëherë këtë plan dhe të heqin dorë prej tij.
Por presidenti Trump duket i patundur në qëndrimin e tij, të cilin e rikonfirmoi edhe në takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale.
“Nuk do të tërhiqemi dhe nuk besoj se do të ketë luftë tregtare” deklaroi presidenti, duke këmbëngulur në vendosjen e tarifave 25% për importet e çelikut dhe 10% për aluminin.
Propozimi i Trump për të taksuar importet e metaleve ka nxitur reagime të ashpra në rradhët e ndërkombëtarëve.
Organizata Botërore e Tregtisë ka paralajmëruar mundësinë e një recesioni të thellë ekonomik në mbarë globin.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka kërcënuar se do të përgjigjet me të njëjtën monedhë, duke vendosur një taksë prej 25% mbi importet nga SHBA, që do të përfsshijë xhinset dhe uiskin amerikan.
Sigal