Plane për zëvendësimin e sekretarit Tillerson me shefin e CIA-s, Pompeo

439
Shtëpia e Bardhë ka plane për të zëvendësuar sekretarin e Shtetit Rex Tillerson me zotin Mike Pompeo, Drejtor i CIA-s, brenda disa javësh, sipas një zyrtari të lartë të administratës.
Në bazë të planit, senatori republikan Tom Cotton do të zëvendësojë zotin Pompeo në krye të CIA-s, njofton gazeta New York Times, duke iu referuar zyrtarëve të lartë të administratës.
Gazeta, e para që njoftoi rreth këtij plani, thotë se ende nuk është plotësisht e qartë nëse Presidenti Trump ka dhënë miratimin përfundimtar për këto ndryshime.
Largimi i zotit Tillerson do t’i jepte fund karrierës së tij në administratë gjatë së cilës ai ka patur shpesh herë mosmarrëveshje me Presidentin Trump rreth çështjesve si ajo e Koresë së Veriut dhe po ashtu ishte vënë nën kritika rreth planeve të tij për të bërë shkurtime në Departamentin e Shtetit.
John Kelly, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, është hartuesi i këtij plani dhe e ka diskutuar atë me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas gazetës.
Ndryshimet pritet të ndodhin para fundit të vitit ose në fillim të janarit.
Për largimin e zotit Tillerson flitej prej muajsh dhe ambasadorja në OKB, Nikki Haley ishte përmendur si zëvendësuesja e tij e mundshme. Por zoti Pompeo duket se ka dalë në krye të kandidatëve për postin, duke fituar besimin e Presidentit Trump për çështjet e sigurisë kombëtare.
Sigal