Sigal

Dy shqiptarë dhe dy italianë janë arrestuar në Milano me akuzën e tentativës për vrasje ndaj Nicolo Bettarinit, djali i ish-futbollistit të Sampdorias Stefano Bettarini dhe prezantueses së njohur televizive, kryesisht në fushën e futbollit, Simona Ventura.

Të arrestuarit shqiptarë janë të moshës 23 e 29 vjeç ndërsa dy italianët 24 e 29 vjeç dhe sipas shtypit italian, janë të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë. Njëri prej tyre i ka mohuar akuzat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit në diskotekën Old Fanshion të Milanos,  ku djali i Simona Venturës, Nicola Bettarini 19 vjeç është qëlluar 11 herë me thikë nga një grup personash. Ngjarja ka nisur pas një grindje mes grupit të miqve të tij e disa të rinjve.

19 vjeçari Nicola Bettarini është jashtë rrezikut për jetën. Sipas rrëfimit të babait të tij Stefano Bettarini, Nicola është qëlluar me thikë ndërsa tentonte të ndihmonte një mikun e tij. Shtypi italian raporton se Nicolo ka pësuar rreth nëntë goditje me thikë në pjesë të trupit, të cilat për fat të mirë kanë qenë sipërfaqësore.

I riu do të operohet në dorë në ditët në vijim, ndrysa prindërit e tij (të divorcuar prej vitesh), kanë deklaruar: “Është gjallë për mrekulli”.

Njëri nga miqtë e tij, i ka përshkruar agresorët si të dhunshëm dhe si “kafshë”. “Ata dukeshin si të droguar, shpresoj të bëjnë sa më shumë burg”.