“Pesë net në Sanremo”, zbulohet shuma që do marrë Carlo Conti

508
ITALI – Pagat e prezantuesve të Sanremos u zbuluan para se të niste festivali i muzikës italiane. Vëmendja u përqendrua e gjitha te Carlo Conti, pasi prezantuesja Maria de Filippi deklaroi që gjithçka do ta bënte falas, duke e konsideruar veten një të ftuar në këtë program. Ndërsa Conti do të marrë nga Rai plot 650 mijë euro.
Shifra ngjalli menjëherë debat. Por sic shkruajnë mediat italiane, Conti, përveçse është prezantuesi zyrtar është edhe autor dhe drejtues artistik dhe ka punuar për muaj me radhë për organizimin e këtij festivali që për pesë ditë mbërthen italianët, por edhe spektatorë ndërkombëtarë, duke vazhduar këtë traditë të këngës italiane.
Shumë personalitete të njohura të televizionit i dolën në mbrojtje Rai-t dhe Conti-t duke mos e konsideruar aspak të tepruar këtë shpërblim për prezantuesin italian. Pika më e ndjeshme e çështjes ishte që Rai është një televizion kombëtar që mbahet me taksat e popullit italian dhe, sipas kritikëve, të paguash një prezantues 650 mijë euro, në një kohë krize, është një shpërdorim i këtyre parave.
Rai u detyrua më pas të sqarojë që këto para nuk janë marrë nga fondi i taksave të italianëve. Televizioni ka deklaruar që shpërblimi i drejtuesit të festivalit, një nga figurat më të rëndësishme të Rai-t, nuk ka të bëjë vetëm me eventin, por është pjesë e një kontrate ekskluzive që përfshin prezantimin, rolin e drejtorit artistik të Festivalit dhe Radio Rai-t dhe realizimin e programeve të tjera në rolin e autorit dhe drejtues.
Gjithashtu festivali, i cili sot është në natën e tij të katërt, ka pasur dhe të ftuar të njohur si italianët Tiziano Ferro apo Giorga, por edhe këngëtar si Robbie Williams. Ndërkaq ende nuk dihet shpërblimi për ta, por është e sigurt, sipas mediave, që shumat janë marramendëse.
Sigal