Pesë marinarët “peng” në Libi, autoritetet shqiptare kanë një apel të fortë (Dokumenti)

584
Drejtoria Detare shqiptare iu bën thirrje pronarëve të anijeve shqiptare të shmangin qëndrimin në portet e Sirisë dhe Libisë pas rastit të anijes me 5 shqiptarë në bord që mbahet “peng” në një port në perëndim të Tripolit në Libi.
Sipas, drejtorit të Drejtorisë detare Gazmend Tahiri portet e këtyre vendeve janë të pasigurta për jetën e ekuipazheve të anijeve shqiptare, prandaj dhe duhet të shmangin qëndrimin.

NGJARJA
Kujtojmë se anija tregtare shqiptare e nisur drejt Maltës është ndaluar nga marina ushtarake e Libisë nën akuzën për transport të paligjshëm mallrash. Anija “Envi 1”, me flamur panamez e pronar shqiptar ishte nisur nga porti i Zuaras, 110 kilometra larg Tripolit me destinacion Maltën.

Në lundrim e sipër, anija është kapur nga autoritetet ushtarake bregdetare të Libisë, të cilat e kanë detyruar anijen të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zauya-s, një port kryesisht karburantesh, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Tripolit.

Sipas njoftimit, anija shqiptare e drejtuar nga kapiteni malazez Marko Markoviç u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë edhe rërën.

Në përbërje të ekuipazhit prej 8 antarësh ndodhen edhe 5 marinarët shqiptarë, Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla.

Përveç kapitenit dhe dy drejtuesit e tjerë, oficeri i parë dhe i dytë i anijes janë shtetas malazezë.

Burime nga kapiteneria e Portit të Durrësit bënë të ditur se kjo anije ishte nisur bosh më 5 shtator nga porti detar i Durrësit drejt Portit të Zuaras në Libi ku dhe u kap, ndërsa fati i marinarëve mbetet ende i paqartë në një vend ku konfliktet e brendshme janë të ashpra.
Sigal