Përplasja Itali-Francë, qindra emigrantë nga Afrika kaluan natën mes kufirit

487
Qindra emigrantë nga Afrika kaluan natën në shkëmbinjtë mes kufirit tokësor e detar italo-francez, ndërsa palët po përplasen prej disa ditësh në lidhje me çështjen delikate të rishpërndarjes së tyre.
Franca ka penguar kalimin e kufirit dhe ka kthyer mbrapsht të gjithë ata që janë përpjekur të kalojnë në këmbe apo me tren, duke mbipopulluar qytetin italian të Ventimiljes.
Italia po has vështirësi që të përballojë këtë fluks emigrantësh, sidomos në start të sezonit turistik, ndërsa mësohet se deri tani 50 000 vetë kanë mbërritur në vend dhe mbi 2 000 kanë humbur jetën.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Kazanëv, tha të hënën në mëngjes se Franca nuk i ka mbyllur kufinjtë, thjesht kërkon që Italia të zbatojë marrëveshjet e arritura, për t’i skeduar emigrantët që vijnë nga Afrika, duke iu kundërpërgjigjur kështu akuzave të kryeministrit italian, Mateo Renci.
“Këta emigrantë të ditëve të fundit janë klandestinë që vijnë nga Afrika perëndimore. Ne nuk mund t’i akomodojmë kështu që i kthejmë mbrapsht. Për ata që vijnë nga Siria dhe zonat e luftës, nisim procedimet për azil. Italia duhet t’i regjistrojë dhe t’u marrë shenjat e gishtërinjve këtyre klandestinëve nga Afrika”.
Sipas Kazanëv, nuk ka vend për përplasje mes Francës dhe Italisë, pavarësisht përforcimit të kontrolleve në pikat kufitare.
Megjithatë, mediat italiane raportojnë se plani B me të cilin Renci kërcënoi Europën një ditë më parë është lëshimi i lejeve të qendrimit të përkohshme për azilkërkuesit, me të cilat ato mund të kalojnë lirshëm në të gjitha shtetet e unionit.
Sigal