Përpjekjet për rindërtimin e Porto Rikos

581
Guvernatori i Porto Rikos takohet sot me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si mund të ndihmojë qeveria federale për furnizimin dhe rindërtimin e ishullit pas uraganit Maria.
Ricardo Rossello do të vijë në Uashington ndërsa furnizimi me ushqime, ujë dhe energji elektrike ende mungojnë në ishullin e goditur një muaj më parë nga furtuna.
Presidenti Trump thotë se reagimi i qeverisë për Porto Rikon ka qenë i shkëlqyer.
“Kemi sasi të mëdha uji dhe ushqimesh. Por, ata duhet t’i shpërndajnë. Duhet t’ja japin ushqimet popullit të ishullit. Ne tashmë kemi mobilizuar ushtrinë për të shpërndarë ushqimet, diçka që është detyra e tyre”, tha Presidenti Trump.
Më 2 tetor Guvernatori Rossello i kërkoi Presidentit Trump ta zgjeronte deklarimin e situatës së emergjencës, në mënyrë që fondet federale të përdoren edhe për riparimin e shkollave, godinave dhe stacioneve elektrike.
Guvernatori ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi të paktën 4.6 miliardë dollarë fonde federale në formë grantesh.
Por, Presidenti Trump ka sugjeruar se do të ketë një limit sasia e ndihmave që Porto Riko mund të presë nga Uashingtoni për të zgjidhur probleme afatgjata.
Ndërkohë, shumë njerëz në Porto Riko, të irrituar nga reagimi i qeverisë dhe infrastruktura e dobët e ishullit, kanë filluar të zhvendosen drejt kontinentit.
Edhe moti vazhdon të krijojë vështirësi. Pas një jave shirash, Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për rrezik përmbytjesh në pjesën më të madhe të ishullit.
Sigal