Përmbytje nga reshjet edhe në Kosovë, Mustafa kërkon angazhimin e autoriteteve

554
Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës. Si pasojë e reshjeve të shiut, janë paraqitur probleme në disa qytete dhe vendbanime. Raportohet për përmbytje sidomos në fshatrat e komunës së Malishevës. Në Bellanicë, Banjë, në qytezën e Malishevës, si dhe në lokalitetet e tjera nëpër të cilat kalon lumi Mirusha, sipas pamjeve dhe fotografive të banorëve lokalë të postuara në rrjete sociale, uji ka hyrë në objekte të banimit, si dhe në biznese. Gjendje e rëndë paraqitet edhe në Komoran, Suharekë, Shtime, etj. Në anën tjetër, reshjet po vazhdojnë me intensitet të njëjtë. Zyrtarët e kësaj komune bëjnë të ditur se rruga Malishevë-Duhël, është bllokuar dhe luten të gjithë drejtuesit, që mos qarkullojnë në këtë drejtim, si dhe mos ta lëshojnë autostradën për tu futur në Malishevë.

“Lumi Mirusha dhe shumë përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke vërshuar shumë pjesë të Komunës së Malishevës. Është bllokuar edhe për në fshatin Gurbardh, përkatësisht ura në liqenin Mirusha. Sipas drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ahmet Morina, të gjitha ekipet e emergjencës dhe shpëtimit, janë ne terren, duke i ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë”, thuhet në njoftimin e kësaj komune. Nga reshjet e fundit ka pësuar edhe xhamia e Banjës së Malishevës ku uji ka përfshirë një pjesë të madhe të objektit. Uji ka hyrë edhe nëpër shtëpi banimi ku ka detyruar banorët të evakuohen
Si pasojë e vërshimeve të ujit gjendje e rënduar është paraqitur edhe në Gjakovë, Suharekë, Drenas dhe në disa qytete e vendbanime tjera. Përmbytje, kanë ndodhur edhe në Rrugën e Kombit. Ndërsa, banorët e fshatit Kishnarekë thonë se si pasojë e vërshimeve kanë mbetur të bllokuara 50 shtëpi.

MUSTAFA KËRKON ANGAZHIMIN E AUTORITETEVE
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka lëshuar një njoftim në të cilën thuhet se kryeministri po e ndjek me vëmendje situatën e krijuar pas përmbytjeve dhe ka kërkuar nga organet kompetente mobilizim për t’iu përgjigjur situatës së krijuar. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po e përcjell me shqetësim dhe vëmendje të posaçme situatën e krijuar pas përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë rënë gjatë ditës, në disa pjesë të vendit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat. Mustafa, me këtë rast, ka kontaktuar dikasteret kompetente, në veçanti ministrat e FSK-së dhe të Punëve të Brendshme, si dhe ka mobilizuar Qendrën e Situatave në kuadër të ZKM-së, dhe institucionet tjera përkatëse.

Ai ka kërkuar nga bartësit e këtyre mekanizmave, që në koordinim me autoritetet lokale në komunat e prekura, të ndërmarrin të gjitha masat dhe të mobilizohen të gjitha kapacitetet për të tejkaluar këtë situatë si dhe për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, në të gjitha rajonet e vendit, të cilat janë të rrezikuara nga përmbytjet apo pasojat tjera eventuale të reshjeve atmosferike. “Kryeministri Mustafa,fton të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i drejtohen organeve lokale dhe qendrore për çdo nevojë që mund të kenë, në mënyrë që fillimisht të tejkalohet situata aktuale dhe më pas të ndërmerren masa për sanimin e dëmeve që mund të shkaktohen dhe kërkon nga ata që të jenë të bashkuar në këtë situatë të krijuar nga forcat e natyrës, dhe që së bashku, me përkushtim dhe solidaritet, të tejkalohen sfidat me të cilat mund të ballafaqohemi”.
Sigal