Përgjegjësi i sulmit terrorist në Zelandën e Re “i frymëzuar nga nacionalistët e Ballkanit”

509
Sigal

Një person i armatosur që vrau 49 vetë në një sulm terrorist në dy xhami në Christchurch në Zelandën e Re besohet të jetë një admirues i nacionalistëve të Ballkanit dhe para se të hapte zjarr, vendosi një këngë në nder të Radovan Karaxhiçit

Një përdorues Facebook-u me emrin Brenton Tarrant – njeriu që thuhet se vrau dhjetëra njerëz në një sulm terrorist në dy xhami në Christchurch, të premten në mëngjes – postoi fotografi të simboleve nacionaliste të Ballkanit në internet dhe një deklaratë që kritikon përfshirjen e SHBA-së në Kosovë. Një video tregon gjithashtu se para vrasjeve, personi i armatosur vendosi një këngë në nder të liderit serb të luftës në Bosnjë Radovan Karaxhiç, vendimi përfundimtar i të cilit për gjenocid dhe krime lufte do të jepet javën e ardhshme. Përpara vrasjeve, përdoruesi i llogarisë në Facebook me emrin Brenton Tarrant postoi një “manifest” prej 73 faqesh, i cili thoshte se motivi i sulmit ishte “të krijonte frikë” dhe të përfshinte gjuhë urrejtjeje kundër emigrantëve dhe thirrje për vrasjen e myslimanëve. Teksti gjithashtu përmbante një pjesë rreth konfliktit në Kosovë. “Ballkanizimi gjithashtu do të zvogëlojë aftësinë e SHBA-së për të projektuar fuqinë e saj në nivel global dhe në këtë mënyrë të sigurojë që të mos ndodhë më kurrë një situatë e tillë siç ishte përfshirja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ku forcat e SHBA/NATO-s luftuan përkrah myslimanëve dhe masakruan evropianët e krishterë që përpiqeshin të lartonin pushtuesit islamikë nga Evropa), thoshte manifesti. NATO ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga qershori 1999 pas fushatës së saj të sulmeve ajrore për t’i dhënë fund fushatës ushtarake të Serbisë kundër rebelëve shqiptarë etnikë. Fotografitë e armëve të përdorura në vrasje ishin shënuar gjithashtu me emrat e liderit ushtarak malazez Marko Miljanov Popoviç, i cili udhëhoqi fisin e tij në luftën kundër Perandorisë Osmane. Armët ishin shënuar gjithashtu me emrin Bajo Pivljanin, një komandant, i cili gjithashtu luftoi kundër Perandorisë Osmane në Bosnjë dhe Mal të Zi. Një tjetër emër i shënuar në armatim ishte ai i Novak Vujoseviç, i cili luftoi në anën e Malit të Zi në betejën e Fundinës kundër forcave të Perandorisë Osmane. Deri tani, policia e Zelandës së Re ka arrestuar katër vetë në lidhje me sulmet terroriste. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i quajti vrasjet “Ditën më të errët të Zelandës së Re” dhe tha në një deklaratë të premten në mëngjes se “shumë nga personat e prekur nga ky akt dhune ekstreme do të jenë nga komunitetet tona të refugjatëve dhe emigrantëve”. Maja Zivanovic