Përfundon udhëtimi i Obamës në Afrikën Lindore

484
Presidenti SHBA-së, Barack Obama mbylli udhëtimin e tij në Afrikën Lindore, me një fjalim para Bashkimit Afrikan.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve të kontinentit që t’u japin përparësi hapjes së vendeve të punës dhe mundësive për brezat e ardhshëm të të rinjve, ose në të kundërt do të rrezikojnë të sakrifikojnë potencialin ekonomik dhe shkaktojnë paqendrueshmëri të mëtejshme.
Presidenti, babai i të cilit ka lindur në Kenia, tha se ka ardhur koha që bota të lërë mënjanë stereotipet e vjetra sipas së cilave, Afrika është e destinuar të jetë e zhytur në varfëri dhe konflikt.
“Ndërsa Afrika ndryshon, unë i kam bërë thirrje botës që të ndryshojë qëndrimin ndaj Afrikës. Shumë afrikanë më kanë thënë se nuk duan thjesht ndihmë, por tregëti që të nxisë mirëqenien. Më kanë thënë se nuk duan padronë, por partnerë, që t’i ndihmojnë të ndërtojnë kapacitetin për t’u rritur. Ata nuk duan poshtërimin e varësisë, por që të bëjnë zgjedhjet e veta dhe të vendosin për të ardhmen e vet“, tha Obama
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje udhëheqësve të Afrikës që t’i bëjnë vendet e veta më tërheqëse për investimet e huaja duke spastruar korrupsionin, duke mbrojtur liritë demokratike dhe të drejtat e njeriut dhe duke lënë postin me vullnetin e tyre dhe në paqe kur u përfundojnë mandatet.
“Shpesh dëgjon një udhëheqës të thotë se ‘unë jam i vetmi që mund ta qeverisë vendin’. Nëse kjo është e vërtetë, ai nuk ka arritur të ndërtojë një shtet“, tha Obama.
Sigal