Përfundon turi aziatik, Trump vlerëson maratonën në rajon si të suksesshme

524
Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë fund turit të tij të parë në Azi, duke u shprehur se maratona në këtë rajon ishte e suksesshme. Lideri amerikan zgjodhi të kthehej drejt Shteteve të Bashkuara pas një dreke me liderë rajonalë në Filipine, duke mos ndjekur seancën plenare të samitit që udhëheqësit e Azisë Lindore po zhvillojnë. Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson do të përfaqësojë presidentin Trump në këtë seancë.
Kreu i Uashingtonit deklaroi se udhëtimi i tij ka rezultuar në firmosjen e marrëveshjeve me një vlerë që fillon nga 300 miliardë dollarë, duke mos harruar të shtojë se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për tregti reciproke dhe të ndershme. Pikërisht tregtua dhe shqetësimi rreth sloganit të presidentit “Amerika e Para” kanë qenë disa nga temat kyçe që shoqëruan udhëtimin e parë të Trump në Azi, tur që përfshiu ndalesa në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë, Vietnam dhe Filipine.
Në këtë të fundit, vizita e presidentit Trump u prit me protesta të cilat vijuan edhe përgjatë ditës së sotme. Qindra persona zbarkuan sërish në rrugët e kryeqytetit Manila për të shprehur zemërimin e tyre ndaj kreut të Uashingtonit, i cili nuk i kushtoi vëmendje çështjes së të drejtave të njeriut në Filipine.
Sigal